Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pati një takim mikpritës me ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, z. Antonello de Riu. Zëvendëskryeministri Bislimi i uroi mirëseardhje dhe suksese në detyrën e re.
Ambasadori De Riu e falënderoi zëvendëskryeministrin Bislimi për mikpritjen dhe tregoi për vizitat e mëparshme që i kishte bërë në Kosovë në vitin 1999 dhe 2009. Ai u shpreh i lumtur se tashmë vjen në shtetin e Kosovës me një përgjegjësi të re.
Zëvendëskryeministri Bislimi u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Italisë në vitet e fundit dhe tha se është i bindur se marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve do të thellohen edhe më tej.
Gjatë takimit u diskutua procesi i dialogut dhe zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin De Riu rreth zhvillimeve të deritanishme në këtë proces.
Ambasadori De Riu ia shprehu zëvendëskryeministrit Bislimi vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin e mirë dhe u pajtuan për takime të tjera të ardhshme për të punuar në projekte të cilat do të nxisin zhvillimin ekonomik dhe do të ngrisin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. /2LONLINE.com/