Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri, ka vizituar sot komunën e Vitisë, me që rast u prit nga i pari i kësaj komune Sokol Haliti.
Në këtë takim, kryetari Haliti e njoftoi zëvendëskryeministrin me gjendjen aktuale në këtë komunë, me theks të veçant rreth pandemisë dhe menaxhimin e kësaj situate, duke theksuar se përkundër rasteve të përditshme, megjithatë gjendja vazhdon të jetë nën kontroll dhe e menaxhueshme.
Temë bisede ishte edhe kyçja e Vitisë në autostradën “Arbën Xhaferi” në Gërlicë, ndërkaq ka shprehur shqetësimin rreth regjistrimit të popullësisë që nuk është në proporcion real me numrin aktual të banorëve e që po i kushton Vitisë, në ndarjet buxhetore.
Duke folur rreth projekteve prioritare, Haliti ka parashtruar disa kërkesa si më të domosdoshme, ndër të cilat ka potencuar renovimin e tërësishëm të objektit të vjetër të Shkollës Teknike Profesionale “Jonuz Zejnullahu”, decentralizimin e shërbimeve të hemodializës, kur dihet se komuna e Vitisë ka një numër të madh të pacientëve e që i nënshtrohen hemodializës.
Ndër kërkesat ishte edhe ajo e shqyrtimit për renovimin e objektit të stacionit policor në Viti, me qenë se ky institucion është duke u përballur me kushte të vështira për punë.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës Besnik Tahiri, lidhur me kyçjen e Vitisë në autostradën “Arbën Xhaferi”, ka thënë se kjo është e drejtë qytetare e kësaj popullate dhe kjo duhet të bëhet e duhet të fillojnë procedurat për realizim të kësaj kërkese, megjithëse janë disa pengesa pasi qeveria e kaluar ka marrë vendim për anulim dhe ritenderim.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Tahiri u shpreh se do ti shqyrtoj të gjitha kërkesat që u parashtruan nga kryetari Haliti, dhe u zotua se do ti shtyej ato drejt realizimit.
Ai ka përgëzuar Institucionet komunale për punën e mirë që po bëhet, si në menaxhimin em situatën epidemiologjike, por edhe në realizimin e projekteve të shumta, që kanë për qëllim mirëqenien qytetare.