…ose historia e një libri poetik në vend të një prezantimi…
Nga Timo Mërkuri
Pjesa e II
Kushdo që e njeh sadopak mitologjinë e di historinë e Zeusit, fëmija që nëna e shpëtoi nga ati fëmijëvrasës (Kroni) dhe e shpuri në ishullin e Kretës, ku e rriti me qumështin e dhisë amalthea. Qysh nga ky moment Zeusi shfaqet në historinë mitologjike si triumfues nëpër beteja (me atin e tij dhe titanët) apo si një djalosh çapkën që hynte në krevatin e vajzave të bukura, duke e mbushur dheun me bij e bija. Me së shumti njihet si një mbajtës i rregullit mes perëndive në Olimp apo “fshirrës” i zullumeve të tyre në tokë, duke këshilluar me fjalë apo qëlluar me rrufe. Por gjithsesi asnjëherë nuk e kemi hasur Zeusin të plakur dhe këtë e kemi pranuar si konceptin që “perënditë nuk plaken ”.
Prandaj u befasova kur mësova se Sabit Rrustemi bash në “mbretërinë e Olimpit jugosllav”, në “stinën” e rrufeve zeusiane ka guxuar të flasë për plakjen e Zeusit si për një plak teveqel, të qoruar nga sytë e shurdhuar nga veshët, të tuhafosur gjer në skaj… Duke përbiruar botën/Nëpër
vrimë gjilpëre/Drita të harroi…/As afër as larg nuk sheh/Sy-verbër sy-shtrembër… As afër as larg nuk ndien/Vesh i shurdhër…
Ndoshta është i pari nga Kosova poet që guxon ta sfidojë Zeusin pikërisht në kohën që ai pëpiqet ti mbushë mëndjen botës se është në kulmin e fuqive të tij si perëndi, ndonëse e sheh se është në prag të greminës… Paudhësitë të shpunë/Nga s’kthen më…Me gishtat që dridhen / S’futet peri në vrimë gjilpëre …prandaj … Si i çmendur/Shikon kohët që vijnë/ Në vete çirresh e grihesh/ Pa zhurmë….Ndoshta është i pari poeti që guxon ti bëjë gjyqin politik poetikisht një “perëndie” zullumqare… Zjarrin e ruan gjetkë/Me zili i sheh promethetë/Memec i shekullit dhe që në zjarrin që ka ndezur e ka përfundimin…Vetveten sëpari djeg….
Tronditëse vijnë vargjet e tjera… Po plakesh/Tash asgjë nuk të kujtohet/…/Kot bëhesh servile/
Fëmijë reprise/…/Prej ballit kodër/Vëngër vështron/Presat e vdekjeve kah ndërrojmë..
Një portretizim sa real (te vargjet..po plakesh…) aq dhe ironik te vargjet vijuese, sa që haron se bëhet fjalë për Zeusin “perëndi” për të aritur te vargjet tronditëse ku Zeusi shikon vëngër presët e vdekjes, dhe pjesëza “kah ndërojmë” e vargut e cila tregon rolin e poetit në këtë fund plakjeje të Zeusit. Pas këtij vargu lexuesi pyet veten se si ka mundur të shpëtojë poeti pa u goditur nga ndonjë rrufe e “zeusiane”. Ja që poeti ka lindur me fat dhe arsyeja e këtij “fati” shpëtimtar është se:
1)- Poetët shqiptarë të Kosovës për të shpëtuar nga “rrufetë zeusiane” përsosën deri në kufijtë e skajshëm artin poetik. Metafora dhe simbolika e tyre ishte më se e përsosur, sa që edhe ne lexuesit shqiptarë të saj na duhej të mendonim shumë mbi vargjet e poezive të tyre për të zbërthyer mesazhin, i cili na trondiste me forcën e tij, kur e lexonim në kontekst të kohës dhe vendit. Metaforizimi i poezive dhe simbolika e tyre ishin një mburojë e fortë për poezinë dhe poetin nga strukturat policore të kohës, të cilat më së shumti mendonin se kishin të bënin me nje “poezi hermetike”, moderniste që folka për Zeusër, Kartagjenat, lisat etj gjëra larg politikës aktuale.
2)-Gjithashtu ndihmesë të madhe ka patur edhe fakti se poetët më në zë Kosovarë, të cilët kishin “fituar” një farë statusi publik ishin gjithmon në mbrojtje të poetëve më të rinj, që në vrullin e moshës guxonin të qëllonin me vargje Zeusin dhe Olimpin. Kështu i ndodhi poetit Sabit Rrustemi psh me poezinë “KARTAGJENA” të cilën miku i tij poeti Faruk Tasholli e botoi me pseudonim .. ose për poezitë “MPLAKJA E ZEUSIT” që do të botohej te “JETA E RE” dhe ishte renditur e faqosur, por u hoq nga botimi menjëherë për shkak se Sabit Rrustemi u arestua dhe kjo poezi mund ti shkaktonte telashe penale. Më këtë qëllim janë hequr edhe dhjetë poezi të tija (që përfshihen në këtë libër) të cilat ishin përzgjedhur për ANTOLOGJIN E POEZISË SË RE NË KOSOVË, “LULET NË BALLKON” nga dr. IBRAHIM RUGOVA dhe që ishin renditur per botim, për shkak se mund të përdoreshin si provë gjyqësore në atë kohë të porsa arestimit. Në këtë drejtim shumë poetë dhe shkrimtarë shqiptarë të cilëve u ka munguar “solidarizimi” real me sivëllezërit e tyre të goditur nga diktatura qëndrojnë kokëulur e të heshtur përpara poetëve e shkrimtarëve kosovarë.
Në një shikim retrospektiv për kohën e shkrimeve të Sabit Rrustemit nga fundi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar shohim se ka qënë koha e një kundërvënie në rritje kundër sistemit monist (zeusian) në ish Jugosllavi dhe sidomos në Kroaci, Kosovë etj. Kjo kundërvënie është pasqyruar në letërsi nga Rexhep Elmazi, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Ymer Shkreli, Jusuf Gërvalla etj emra simbol të botës letrare kosovare. Pikërisht fundi i viteve shtatëdhjetë nxori dhe një plejadë të re krijuesish të cilët përmes artit letrar ishin oponencë e fortë e atij pushteti, i cili në Kosovë llogaritej me të drejtë edhe si pushtues.
Pjesë e këtij brezi kundërshtarësh ishte edhe Sabit Rrustemi, ndonëse nuk i përkiste asnjë formacioni ilegal politik, pos formacionit letrar që (jo rastësisht) ecte në hap me kërkesat e shqiptarëve të Kosovës. Kjo është arsyeja që poezia e Sabit Rrustemit bart dhe është pjesë e kësaj fryme opozitare aktive me mission kundërshtimin e shkombëtarizimit të popullit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Qysh në poezinë e pare “NATYRË E GJALLË” të librit të tij të parë poetik “KU I LA LISAT ERA” Sabit Rrustemi pasqyron pozicionin e tij si poet kur shkruan:… Furtuna m’i gëlltiti gjethet/Acari m’i dogji degët/Mbeta trung cubak/Natyrë e gjallë në rrënjë/../Ruaj dheun nga vërshimat…duke e simbolizuar veten me një lis degëdjegur por që rrënjët e thella rruajnë dheun (amë) nga “erozioni” sllav. Sa poetik aq dhe real shkencërisht është ky varg, por përtej kësaj mua më kujtojnë edhe arbëreshët te “ETJA E GURËZUAR” e Anton Nik Berishës të cilët …mbillnin dheun e sjellur nga Arbëria që të shtohej, sepse duhej t’u hidhnin nga dheu amë të vdekurve, ndryshe nuk treteshin… apo vargun famoz të Homerit që … pellazgët janë të mbirë nga dheu…, domethënia e të cilit qaset te vargu i Sabitit.
Për kohën kur janë shkruar dhe publikuar (1977 – 1981 ), këto poezi u mirëpreitën ngrohtësisht si në rrethet letrare, në mesin e lexuesve po edhe në pjesën “ilegale” shqiptare që vepronte në Kosovë e jashtë saj edhe sepse kjo fryme poetike përputhej me orientimin kombëtar, me synimet liridashëse të kësaj pjese të kombit.
Sabit Rrustemi nuk ishte emër i panjohur edhe për politikën serbe e kjo u duk hapur më 1981
kur një tregim i tij u cilësua si armiqësor dhe kjo i solli autorit një sërë problemesh gjyqësore, për të cilat folëm më sipër.. Prandaj po mendoj se sikur të ishte botuar në Pranverën e vitit 1981 libri i parë me poezi “KU I LA LISAT ERA”, jo vetëm që secila poezi por edhe libri në tërësi do denoncohej nga pushteti si “armiqësor dhe rrënues” ndaj sistemit dhe odiseja e gjyqeve do ishte më e shkurtër dhe dënimi më i ashpër e më i gjatë. Sepse te ky libër vërtet që autori është “fshehur” nëpërmjet metaforizimit dhe simbolikës, por fshehja ka qënë e tillë që e “ndillte shikimin dhe vëmëndjen më tepër” përmbi vargje dhe domethënien e tyre, si te “Roja e malit” që vigjëlon mbi këtë dhe te vargjet…Sa herë të bënë rrafsh me tokën /Sa herë /Rrënjët e indeve tona /Nuk t’i shkulin /Rrënjët t’i ruajtën /E ti u rrite u rrite /Sall për ne /Qiellin ta puthësh me maja…Do mjaftonte dhe një koment gjimazisti që të zbërthente metaforën e poezisë dhe vargjet të shndroheshin në pranga në duart e poetit.. Madje mund të themi se edhe librin e dytë “BESOJ NË NJË DIELL”, shkruar në periudhën kohore 1979 – 1991 dhe që i përekt gjithashtu kësaj fryme poetike, së cilës i printe Ali Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Beqir Musliu, Teki Dervishi, Rexhep Elmazi Jusuf Gërvalla etj, por për këtë do flasim më vonë.
Kështu pra, në kohën kur e çoi librin për botim (fund viti 1980) Sabit Rrustemi ishte një poet i njohur në Kosovë dhe kjo e aritur vetëm nga poezitë e tij të botuara në organet e shtypit periodik. Stili i tij i veçantë i të shkruarit me strofa dy-tri vargëshe, poezitë e shkurtëra dhe vargjet metaforike ishin vijëzimet e portretit të tij poetik që njiheshin e diskutoheshin nëpër grupet e të rinjve por dhe mes poetëve të afirmuar. Rasti i njohjes së autorësisë së poezisë së tij “KARTAGJENA” nga Mirko Gashi flet shumë në drejtim të njohjes së poetit Sabit Rrustemi në botën letrare nëpërmjet stilit të tij të të shkruarit dhe ideve që përçonte mes vargjeve..
Sabit Rrustemi ka vërtet një stil të vetin të të shkruarit, me vargje të shkurtëra, shpesh me gjysëmvargje por me një dëndësi revolte të mbrujtur brenda tyre sa që dhe gjatë leximit, brenda vargjeve dëgjohet ritmika e një vrapi ushtarësh mbi urë. Edhe kur “heshtjin” vargjet e tij, vetë heshtja mbart jehonën e një trumpete që fton për zgjim dhe për sulm. Në çfardo këndvështrimi ta shohësh poezinë e tij, ajo është një poezi e revoltuar, në lëvizje, me vargje që ngjajnë si një grup demostruesish që sulen për tu përplasur fizikisht me policinë apo ushtrinë që u del përpara…
Kafshoj buzët/Shtrëngoj grushtat /Flakë kallem/Vetveten ha /Si s’te njoh…
madje duke lëshuar dhe kushtrimin…
I hedhim anash /Të shkuarat të harruarat/Si kjo e jona /…/Male pipthash të rinj /Ngrisin kokë/…/Zgjohu të më fusësh brenda…
Pavarësisht nga titulli që propozoi autori apo ai që i vendosi redaktori ALI PODRIMJA duket se Sabit Rrustemi nuk e paska mbyllur llogarinë me Zeusin e tij plak e të gërmuqur vetëm me poezinë “MPLAKJA E ZEUSIT”, ndaj shkon nga shkon dhe e “cingris” nga pak edhe kur ka tema të tjera…Kështu psh poezia “ZOTI YNË I PËRGJUMUR” ai shkruan… Strukesh trukesh ngurresh/Kokekëmbë bëhesh/Iriq i mbështjellë në gjemba/Mes nesh fushash malesh/Rri e përgjon i heshtur/../As nuk zgjohesh sytë t’i hapësh/ Kot pret dita kapet për fyti/E jo për bishti or derëmbyllur/…/Hape atë të uruar/Zoti ynë i përgjumur/Shih kë ke përjshta… Ne na çelet një buzëqeshje kur e lexojmë tani këtë poezi për Zotin e përgjumur por mendojmë “hutimin” entusiaznt të redaktorit kur e ka lexuar së pari. Me siguri që ka dashur ta vendosë titull libri por pastaj ka hezituar se në atë çast matanë dritares ka parë patrullën e policisë serbe që po vrojtonte rrugët.
Le të lexojmë bashkë edhe poezinë “PORTA PA ÇELËS” dhe të sodisim brenda saj nga dritarja e metaforës… Porta mbyllur rri/Kush s’hyn as del/./Në xhepin e kujt/Fshehet çelësi/./ Brenda hahen muret/Gurët i le durimi/./Shtëpinë e vetme/E rrëmih heshtja/./Po çelësi mungon/ Së prapthi shkundni xhepat/./Portë e re duhet hapur/Këtë vetmi për ta trandur/./Zoti ynë i përgjumur/Midis sheshit për çelës i varur… E pas leximit të mësipërm i them publikisht poetit (sipas botkuptimit tim ortodoks) : -Dëgjo o Sabit Rrustemi, do keshë patur me vete ndonjë copë dru nga kryqi i Krishtit që paske shpëtuar paq pas këtyre vargjeve!
Unë mund të vazhdoj citimet e poezive, madje të të gjithë poezive, sepse është i pari libër që has, gjatë analizës të së cilit të vjen keq të lëshë ndonjë varg a poezi pa cituar, aq më tepër që secila prej tyre ka një “biografi” krijimi. Veçse nuk është zgjidhje citimi prej meje, as komenti apo analiza që mund t’i bëj, ca më tepër që në Shëqipëri ky libër është pak ose aspak i njohur dhe ndër poetët, le më ndër lexuesit e dashamirësit e poezisë. Unë mund tju them se në çdo varg a strofë të këtij libri shoh shpirtin e një populli të revoltuar, që vlon si llavë vullkani gati në shpërthim. Vargjet nga “sipër” ngjajnë si gurë mali, hirtësuar nga erërat e shekujve por po të vesh dorën përmbi ‘to ndjen dridhjen dhe nxehtësinë vullkanore të pragshpërthimit.
Dhe të mendosh që këtë libër e ka shkruar një djalosh njëzetvjeçar, filiz nga mosha, vetiu të lind mendimi se ky poet është bekuar me talent nga zoti (jo Zeusi) dhe ka shumë për të thënë. Seria e botimeve poetike të Sabit Rrustemit sikur na jep “të drejtë” për mendimin që patëm.
Ndaj unë mendoj se ndoshta është koha që ky libër të ribotohet, të shpërndahet e promovohet për t’u njohur me vlerat dhe historinë e tij lexuesit tanë. Unë këtë do ti sugjeroja Sabit Rrustemit, sepse poezia shijohet duke e lexuar në libër dhe jo duke dëgjuar të flitet për të. Është njësojë me dashurinë që e jeton kur loz me vajzën që do dhe jo kur dëgjon të flitet për atë.
Sarandë, më 18 Maj 2020