Shfaqja “Free-Zëra të padëgjuar”, me koncept dhe regji të Erson Zymberit, përveq audiences u ndoq edhe nga kritik teatror, sociolog e ekspert të cilët trajtojnë tematikat sociale.
Shfaqja u ndoq edhe nga Prof.Dr.Avni Rudaku – kritik teatror, ku më poshtë mund ta lexoni kritiken:
ZËRAT E PADËGJUAR, U DËGJUAN NGA TË GJITHË
Në Teatrin e qytetit të Gjilanit, më 3 maj, u shfaq premiera e shfaqjes “Free-Zëra të padëgjuar”, me koncept dhe regji të Erson Zymberit, dramaturgji të Jeton Nezirajt, inspiruar në dramën “50 Shades of Gay”, mbështetur edhe në materiale të ndryshme dokumentuese e multizhanrore të masmedieve (reportazhe, intervista, lajme, kronika televizive etj.), në kuadër të projektit “Zëra të padëgjuar-T’i rezistosh diskriminimit përmes artit”, të ideuar dhe implementuar nga organizata CCNO, me drejtoreshë Mediana Bislimin, e të financuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës. Publiku për këtë shfaqje, ishte i ulur rreth skenës së teatrit – në binë, e quajtur shpesh si “shfaqje kamertale”, ndërsa më shumë është i njohur në komunitetin teatror botëror, si “teatër në skenën e formës rreth”, ose “skenë arena”, me ç’rast, publiku dhe aktorët duke qëndruar krejt pranë njëri-tjetrit në skenë, aty ku zhvillohet loja teatrore, kanë një ndjenjë të fuqishme afërsie, emocioni dhe përvoje shumë më intensive me njëri-tjetrin, duke qenë më sfidues ky tip teatri, veçanërisht për aktorët që luajnë dhe interpretojnë. Përveç shfaqjes që zgjati rreth 23 minuta, më pas u realizua një performancë rreth 10-minutëshe, nga pjesëtari i komunitetit LGBTIQ+, përmes një deklamimi dhe një vallëzimi sensual me një këngë të këngëtares së njohur kosovare, për “mbretëreshën”, me shkas nofkën e tij si “Diva”, e cila edhe në baner të shfaqjes nuk vjen me emër e mbiemër – si identitet i vërtetë personal, pasi që përfaqëson simbolikisht edhe “të përjashtuarën e komunitetit”, nga një mjedis kosovar mjaft homofobik, me frikën për “coming out”, ose dalje publike.
Ky projekt nga CCNO, lufton stereotipat, paragjykimet dhe diskriminimet e çdo lloji, e veçmas ato me bazë orientimin seksual e të ngjashme, duke e shfrytëzuar një medium gjithnjë e më të popullarizuar kundër gjuhës së urrejtjes, teatrit dokumentar, ku krijohet shfaqje teatrore, i plasohet publikut të gjerë, vizuelizohen përmes videove dhe bëhen tok në një dokumentar sensibilizues për liri, barazi dhe drejtësi për të gjithë, pavarësisht moshës, gjinisë, seksit, orientimit seksual, etnisë, ngjyrës, vendbanimit, origjinës, statusit social etj. Në kuadër të çdo aktiviteti, përfshirë edhe premierën teatrore ku luajnë aktorët e Teatrit të Gjilanit si Tringa Hasani, Ernest Zymberi dhe Alban Shahiqi, si dhe Diva nga komuniteti LGBTIQ+, projekti i CCNO-së kishte tri objektiva kryesorë: vetëdijesim, inkluzion dhe përdorim të teatrit të angazhuar politik, për paqe, barazi e drejtësi. Shfaqja fillonte dhe vazhdimisht shoqërohej me tingujt e instrumentit muzikor klasik, tingujt e të cilës magjepsën publikun në skenë-arenën, të luajtura me mjeshtri nga Arzie Jusufi. Pjesë e ekipit realizues ishin edhe: Leudita Hyseni për kostumet. Skenograf: Bekim Korça; Dizajni i dritave: Burim Baftiu, Fatmir Halili; Tonist: Alban Limoni; Rekuizitat: Suad Berisha; Teknikë skene: Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti.
Përmbajtja e shfaqjes “Free-Zëra të padëgjuar”
Kodi qendror tematik i shfaqjes “Free-Zëra të padëgjuar” ishte ballafaqimi i komunitetit LGBTIQ+ me homofobi, stereotipa, klishe, paragjykime dhe diskriminime për shkak të orientimit seksual, ndryshe nga shumica e shoqërisë me orientim heteroseksual. Me fjalë të tjera, shfaqja bënte fjalë për “pakicat seksuale”, të cilat vazhdojnë të përballen me shumë sfida, vuajtje, pengesa dhe qëndrime të ashpra të shoqërisë. Adriano, një italian i ardhur në qytezën e Kaçanikut – i shpallur edhe qytetar nderi, po përhapte lajmin me altoparlant në skenë, për hapjen e një fabrike të re, ku do të punësoheshin 200 burra dhe gra, e cila do të prodhonte prezervativë të ricikluar, prezervativë për penisë, varësisht nga madhësia, nevoja për ereksion e stimul seksual shtesë, për parandalim të shtatzënisë së padëshiruar me dy shtresa – nëse shpërthen njëra shtresë, shtresa tjetër e mbronte gruan, për të mos depërtuar spermatozoidi mashkullor. Adriano bashkë me Merlinin a Bilallin, të luajtura nga aktorët Ernesti dhe Albani, po paraqitnin një ditë kërkesën në Zyrën e Ofiqarisë, për kurorëzim, por nëpunësja Hikmetja, e luajtur nga Tringa, do t’i refuzonte, do t’i qortonte, paragjykonte, për shkak të kërkesës për martesë të dy burrave gejë (por edhe zhgënjimit që burri italian nuk iu përgjigjë dëshirës së saj për martesë me të, pasi nëpunësja ishte e divorcuar!), si çift homoseksualësh, duke u arsyetuar edhe me shabllonin heteroseksual që e ka për pyetjet formale për çiftin kur kurorëzohet, me leximin me zë të betimit të besnikëri, kujdes e përgjegjësi reciproke bashkëshortore. Të gjitha dokumentet e Ofiqarisë, ishin heteronormative dhe heterocentriste, pasi që silleshin rreth normave heteroseksuale shumicë, duke përjashtuar edhe komunitetet e tjera si LGBTIQ+, përfshirë edhe shumë të tjera komunitete që nuk janë pjesë e këtij akronimi tashmë të njohur lokalisht dhe ndërkombëtarisht.
Adriano e Merlini, po bënin monologë e dialogë, për të shprehur vuajtjet e komunitetit me bazë orientimin homoseksual, pështymat e fshehura e të hapura në rrugë e kudo, sharjet, etiketimet linçuese e të papranueshme “peder”, akuzat se homoseksualiteti po e sillte “fundin e botës”, kiametin, me daljen edhe të shenjave në qiell, parodinë ndaj fetarëve e besëtytëve, kërkesën nga nëpunësja me ndarjen e roleve (burrë a grua, pa alternativa të tjera si “top” ose “bottom”, ose “vers”). Për një çast, nga rrëfimet e vuajtjeve të gejëve, vjen edhe çasti i tyre për t’iu kundërvënë shoqërisë, me mllef e bërtima në anglisht, e që do të nënkuptonin shqip: “pirdhuni”, me shprehjen e çastit kur individi mbetet me guxim vetja dhe nuk i intereson fare çfarë mendojnë të tjerët për ndjenjat e tij erotike dhe seksuale ndaj seksit të njëjtë.
Shfaqja zgjati rreth 23 minuta, ku pas duartrokitjeve nga publiku, aktori, Ernesti, tregoi sfidat e komunitetit LGBTIQ+, sfidat e aktorëve që janë rritur me një mjedis patriarkal e homofobik, për ta bërë një shfaqje të tillë tabu, e duke treguar vështirësitë shumëfish më të mëdha të vetë pjesëtarëve të këtij komuniteti. Ai e la skenën, duke i bërë thirrje publikut që duartrokitjet t’i ruante edhe për “Divën” e komunitetit LGBTIQ+, me një performancë, e cila gjatë gjithë kohës sa zhvillohej shfaqja nga aktorët, po bënte make-up para pasqyrës madhështore në skenë. Ajo doli me performancën e saj me deklamim, duke lexuar një monolog dhe më pas, duke vallëzuar. Në fillim të monologut, ajo e tha një frazë të fuqishme: “Për njerëzit si unë, akoma jam në luftë”, për të përçuar mesazhin, se gjersa lufta për shumicën e popullatës kosovare ka përfunduar në vitin 1999, ajo vazhdon luftën e saj për liri, barazi, drejtësi dhe çlirim nga homofobia e shumicës së shoqërisë kosovare, e cila ende ka shumë vështirësi për të pranuar komunitetin LGBTIQ+. Më tej, vazhdoi rrugëtimin e saj të njohjes dhe eksplorimit të identitetit seksual, duke treguar edhe vlerësimet e gabuara të rrethit social, se “është fazë orientimi seksual dhe me kalimin e moshës, sërish do të kthehej në identitetin e vetëm heteroseksual”, ndërsa ajo i kundërpërgjigjej: “Nuk është fazë. Identiteti im seksual është i përhershëm, ndryshe nga shumica. Unë jam vetja. Unë jam diva”.
Konteksti kosovar dhe polarizimet për ProjektKodin Civil
Shfaqja “Free-Zëra të padëgjuar” u dha në një kontekst kosovar të polarizimit të shoqërisë pro dhe contra ProjektKodit Civil të Republikës së Kosovës, veçmas pas paralajmërimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se së shpejti do të siguronte shumicën e votave për ta miratuar ProjektKodin Civil në Kuvendin e Kosovës, pasi edhe disa deputetë nga radhët e partisë së tij politike, refuzojnë publikisht për ta miratuar ProjektKodin Civil, veçmas e kundërshtojnë Kapitullin II-Martesa, Nënkapitullin I-Kuptimi i Martesës, Nenin 1138 Martesa, paragrafin 2, ku hapet rruga për lejimin në të ardhmen e afërt me ligj të veçantë, edhe për martesat e seksit të njëjtë, si: “Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë.”
Teatri i Gjilanit me projektin nga CCNO-ja, u bë pjesë e këtij diskutimi, duke marrë pozicion për avokimin e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ dhe zgjoi edhe më shumë interesimin e publikut gjilanas e kosovar, pasi që ndërlidhej me aktualitetin politik dhe ardhjen e afërt të ProjektKodit Civil në Kuvendin e Kosovës, duke ngjallur edhe shumë debate televizive për dhe kundër miratimit të tij.
Si në shumë shtete të botës, edhe në Kosovë, grupet më kundërshtare të martesave të seksit të njëjtë, mbesin: grupet fetare konservatore, ekstremistët fetarë, konservatorët politikë që përkrahin vlerat tradicionale, grupet nacionaliste që refuzojnë brenda kombit të tyre se ka pjesëtarë të komunitetit LGBTIQ+; grupet konservatore familjare, të cilët avokojnë për familje tradicionale, monogame, poligamike, patriarkale, bërthamë e të zgjeruar, vetëm të seksit të kundërt; shtetet autokratike, teokratike, totalitariste etj. Ndërsa grupet më përkrahëse janë: demokratët, të majtët, socialdemokratët, liberalët, afetarët, laikët, sekularët, antifetarët, ateistët; Perëndimi demokratik e liberal, me gjithë kundërshtimet brenda nga grupet e ndryshme konservatore e fetare etj.
Teatri LGBTIQ+ në botë
Teatri që shpalosë qëllime të veçanta në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ lindi sidomos në vitet 1960 dhe këtej, në vendet perëndimore. Në këtë periudhë, lëvizja e të drejtave civile, politike, feministe dhe e të drejtave të homoseksualëve, si dhe ndryshimet në shoqërinë dhe revolucionin seksual, sollën një interes të madh në krijimin e produksioneve teatrale që trajtonin çështjet e diskriminimit, identitetit seksual dhe çështje të tjera që lidheshin me komunitetin LGBTIQ+. Nëpërmjet teatrit, kjo kategori e regjisorëve dhe e aktorëve ka qenë e motivuar për të reflektuar, provokuar dhe promovuar ndryshime në shoqëri në lidhje me këto çështje të orientimit seksual. Teatri që angazhohet kundër diskriminimit ndaj komunitetit LGBTIQ+ mund të quhet si Teatri i LGBTIQ+, ose Teatri Qendror i LGBTIQ+, ose Teatri i Inkluzionit të Qëllimshëm, ose Teatri Diversiv, Teatri i Lirisë, Teatri i Drejtësië, ose Teatri i Angazhuar Politik etj. Ndërsa stereotipat me bazë në orientimin seksual shpesh quhen “homofobi” – ndonëse term i diskutueshëm për psikologët, pasi fobia është neurozë (!), ndërsa mospajtimi për një çështje, nuk nënkupton domosdoshmërisht çrregullimin neurotik, fobinë. Sidoqoftë, stereotipat e tillë janë kryesisht negativë dhe diskriminuese ndaj komuniteteve LGBTIQ+. Këta stereotipa mund të përfshijnë përshkrime negative dhe të pavërteta për homoseksualët, biseksualët, transgjinorët dhe të tjerët në këtë spektër të gjerë të orientimeve seksuale, ndonëse ka edhe stereotipa pozitivë, të cilët janë më pak të dëmshëm, si: “të gjithë homoseksualët janë inteligjentë”, “të gjithë homoseksualët janë artistë”, “të gjithë homoseksualët janë stilistë mode” etj. Shfaqja “Free-Zëra të padëgjuar”, jo vetëm shprehte stereotipa (kryesisht përgjithësime të skajshme negative) e paragjykime (qëndrime kryesisht negative), por edhe diskriminim, kur ballafaqohen homoseksualët me ndalim të kurorëzimit si çift i seksit të njëjtë.
Mesazhet e shfaqjes: kundër ndalimit të martesës homoseksuale
Në një arenë-skenë, aktorët na çojnë në një ngjarje të çuditshme, por të dhimbshme, në një vend ku dashuria nuk ka vend, ose ka vend, vetëm në vende të fshehura, private. Shfaqja “Free-Zëra të padëgjuar”, është një shfaqje e shkurtër teatrore, që prek në mënyrë të ndjeshme disa nga problemet më të diskutueshme, sidomos të shoqërisë së sotme kosovare, në prag të daljes në votim të ProjektKodit Civil në Kuvendin e Kosovës. Drama fokusohet në tri personazhe (një çift gejësh), të cilët shkojnë për të kurorëzuar dashurinë e tyre në një ceremoni zyrtare martesore dhe nëpunësja komunale për kurorëzim të çiftit. Megjithatë, çifti gej përballet me një realitet të hidhur: institucioni komunal i ofiqarisë (martesës) refuzon të njohë lidhjen e tyre për shkak të ligjeve aktuale dhe paqartësive të paelaboruara kushtetuese që (nuk)ndalojnë shprehimisht martesat mes seksit të njëjtë, por Ligji për Familjen dhe aktet e tjera administrative. Nëpërmjet kësaj ngjarjeje, shfaqja nxjerr në pah një sërë pyetjesh të thella për drejtësinë dhe lirinë seksuale në shoqërinë tonë kosovare. A janë ligjet dhe kushtetuta e një vendi gjithmonë të drejta, ose a mund të jenë ato edhe instrumente për të privuar të drejtat themelore të individëve? Si duhet të trajtohet martesa e dashuria në një shoqëri që ende përballet me shumë sfida në pranimin e diversitetit seksual? A lejohet martesa e seksit të njëjtë me Kushtetutën e Kosovës, pasi ndalohet çdo diskriminim, përfshirë edhe me bazë orientimin seksual, ndërsa me Ligjin për Familjen, martesa përkufizohet në domenin e vetëm heteroseksual? Aktet dhe dialogët janë interpretuar me një ndjesi të thellë emocionale nga aktorët, duke na bërë të ndiejmë dhembjet e këtij komuniteti, qoftë edhe me parodinë që zhvillohej në skenë, në vend të një drame a tragjedie të vërtetë. Skenografia e thjeshtë dhe përdorimi i ndriçimit së bashku me muzikën e përshtatshme, e bënë shfaqjen të fuqishme dhe emocionuese për publikun. “Free-Zëra të padëgjuar” është më shumë se një shfaqje teatrore; është një thirrje për ndryshim dhe përballje me realitetin e jetës së komuniteteve LGBTIQ+, duke theksuar nevojën për një shoqëri më të hapur, më tolerante dhe më të drejtë për të gjithë. Pas përfundimit të shfaqjes, publiku teatror bashkë me shoqërinë e gjerë, mbetet për të reflektuar mbi rolin e tyre në ndryshimin e këtij realiteti të diskriminimit.