“Për herë të parë në historinë e sportit të Kosovës, Komuna e Gjilanit, respektivisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport së bashku me zyrtarët e Sportit në bashkëpunim me klubet sportive dhe sportistët individual, krijon Unionin e Sportit Lokal si hallkë lidhëse e nevojshme konstatuar nga ekspertët ndërkombëtarë të sportit gjatë përpilimit të Strategjisë për Sport në nivel nacional”, ka bërë me dije Kushtrim Zeqiri, drejtor i Drejtorisë Komunale për Kulturë, Rini e Sport (DKRS) në Gjilan.
Sipas tij, procesi i krijimit të këtij organizimi filloi nga diskutimi publik që u mbajt me sportistë me datë 07.10.2022 duke vazhduar me kategorizimin e sporteve dhe zgjedhjen e 6 anëtarëve si përfaqësues të tyre në Unionin Sportiv të Gjilanit.
E me datë 03.11.2022 u bë dhe zyrtarizimi i këtij grupi jo-formal ku u zgjedh dhe Kryetari i Unionit, Lorik Ilazi dhe Nënkryetar, Alban Beqiri.
“Ky organizim jo-formal me mandat tre vjeçar ka punët dhe përgjegjësitë e veta me fokus të veçantë forcimin e kapaciteteve të klubeve sportive lokale duke përfaqësuar interesat e tyre, gjithëpërfshirjen, menaxhimin, politikëbërjen në sport, hartimin e strategjive për investime kapitale në sport etj”, ka thënë Zeqiri. /2LONLINE/