Nesër zhvillohet ndeshja FC Drita – FC Malisheva, ndeshje e xhiros së parë e mbetur pa u zhvilluar për shkak të angazhimeve të ekipit gjilanas në Evropë. Për këtë përballje dhe përgatitjet foli kryetrajneri i bardhë e kaltërve, Zekirija Ramadani, i cili në konferencë për media tha se do te takohen me një skuadër mjaft cilësore.
“Nuk është ajo FC Malisheva që vitin e kaluar çfarëdo që bënte e llogarisnin befasi, është me të vërtete një ekip që ka mjaft cilësi brenda grupit të vet, por ne kemi eksperiencën tonë. Pas humbjes së fundit pres që secili nga ne të reflektojë dhe përveç fitores çdo gjë tjetër do ishte hap fallso. Mendoj se duhet të bëhet një ndeshje me shumë luftë sportive dhe me shumë angazhim, por normal duke shfrytëzuar edhe inteligjencën tonë brenda fushës për të arritur deri tek fitorja”, ka thënë Ramadani.
Sa i përket ndeshjes së fundit, ku Drita pësoi në fund të takimit, kryetrajneri Zekirija Ramadani tha se përveç rezultatit në fund, FC Drita asnjëherë nuk ka luajtur më mirë në Podujevë sesa në këtë takim të fundit.
“Ne bëmë një performancë të mirë deri në zonën e finalizimit, organizimi i lojës, aksione të rrjedhshme edhe pse në derbi dihet që një moment vendos dhe duke ja shtuar edhe fushën me shume ujë atëherë ishte më e sigurtë se një moment do të vendos dhe ky moment erdhi në fund të takimit për Llapin. Por, asnjëherë nuk kemi luajtur më mirë në Podujevë, unë ju them që përveç rezultatit unë jam i kënaqur me lojë”, deklaroi trajneri Ramadani.
Në fund, trajneri Ramadani tha se: duhet të punojmë në aspektin psikologjik me ekipin, të harrohet kjo humbje, janë vetëm dy ndeshje që kemi zhvilluar, që nga nesër duhet të japim maksimumin për të arritur objektivin e ndeshjes”, ka potencuar trajneri Zekirija Ramadani.
Ndeshja FC Drita – FC Malisheva zhvillohet nesër, e mërkure ora 15:00, në Stadiumin Ndihmës (Te rrethi). /2LONLINE/