“Kosova tashmë është pjesë e agjendës në takimin e radhës së Asamblesë e Përgjithshme që zhvillohet nga 18 deri 21 Nëntor 2018 në Dubai. Aktivitetet e institucioneve të Kosovës janë duke u koordinuar nga grupi punues ndërintistucional”, thotë zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Izmi Zeka.
Sipas tij, angazhimet dhe përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduara në nivelin nacional dhe me partnerët strategjik të Republikës së Kosovës.
“Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare ka qenë dhe është një proces i pakthyeshëm dhe i pandalshëm, ashtu siç është dëshmuar me anëtarësimet e deritanishme të vendit tonë në më shumë se gjashtëdhjetë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare. Procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë është në interes të organizatave ndërkombëtare dhe shteteve anëtare në përgjithësi, dhe i Republikës së Kosovës në veçanti”, ka thënë Zeka.
Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë duhet të shihet nga të gjithë si një proces i natyrshëm dhe i domosdoshëm që do t’i kontribuoj rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtare në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar transnacional, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.