/2L ONLINE/ – Begzad Sinani, kreu i Komunës së Kamenicës ka thënë se kjo komunë është duke u qeverisur mirë nga PDK-ja dhe se qytetarët po e kuptojnë se ky subjekt është alternativa më e mirë dhe se kjo është garantuese se PDK-ja do të vazhdojë edhe më tutje ta qeverisë Kamenicën. Por, Sinani thotë se edhe për komunën fqinje, Gjilanin, PDK-ja po ashtu është alternativë e vetme për të pas një qeverisje të mirë dhe se, sipas tij, edhe gjilanasit për ditë e më shumë po e shohin dhe pranojnë PDK-në si alternativë e vetme që do t’i largojë nga pushteti ata që po keq qeverisin dhe të sjellin në krye të Gjilanit prapë PDK-në.
Kryetari i Kamenicës kështu u shpreh me rastin e vizitës në Gjilan, ku në selinë e PDK-së u takua me nënkryetarin e Degës së PDK-së, në Gjilan, Izmi Zekën, njëherësh anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në qendër.
“Në Kamenicë po qeverisim mirë dhe këtë po e thonë edhe qytetarët që po e shohin se jemi të pa alternativ dhe se do të vazhdojmë me qeverisje të mirë përgjatë këtij mandati, por jemi të sigurt se do të vazhdojmë kështu edhe me mandate tjera, sepse këtë e do qytetari i Kamenicës. Sa i përket Gjilanit, edhe këtu qytetari përditë e më shumë po rëndohet nga qeverisja e keqe e këtij pushtetit aktual, dhe se edhe këtu PDK-ja po shihet alternativa e vetme që do të duhej sa më parë të rikthehet në pushtet”, ka thënë Sinani për Portalin 2L ONLINE.
Sipas tij, krejt çfarë po sheh si pozitive në Gjilan është ajo çfarë është trashëguar nga ish-qeverisja e PDK-së. Sinani tha se të arriturat janë projekte të ish pushtetit të PDK-së andaj edhe nuk ka dyshim se, si në Kamenicë edhe në Gjilan, pushtet të mirë, pushtet për qytetarë, do të kemi vetëm nga PDK.
Ndërsa, nënkryetari i PDK-së së Gjilanit, Izmi Zeka tha se ka pritur sot në seli, kryetarin e Kamenicës Begzad Sinani me të cilin ka folur edhe për qeverisjet e deritanishme në këto dy komuna por edhe për zhvillime partiake në përgjithësi.
Zeka, që është edhe anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në qendër, tha se po i shkëmbejnë përvojat me Sinanin për një riorganizim sa më të mirë të strukturave partiake që do të garantojnë fitore edhe në Gjilan, ngase , siç tha ai, qeverisja e keqe e LDK-së në Komunën e Gjilanit i ka lodh qytetarët, që nuk kanë më as besimin më të vogël në këta pushtetarë dhe se alternativë të vetme po e shohin PDK-në.
“PDK në Gjilan ka nis me intensitet të shtuar konsolidimin e saj, të strukturave partiake. Po mobilizohemi dhe në këtë drejtim edhe takimi me Sinanin është në frymën e këmbimit të përvojave, nga njëri tjetri, për një mobilizim të tillë që në zgjedhje të ardhme, PDK-ja, në Kamenicë ta rikonfirmojë edhe më thellë fitoren e saj, e në Gjilan të rikthehet në pushtet, për të vazhduar me projektet e saja në zhvillimin e Gjilanit, për qytetarët e saj”, ka thënë Zeka për Portalin 2L ONLINE. /2L ONLINE/