/2L ONLINE/ – Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, bashkësitë fetare në Gjilan kanë pastruar sot Xhaminë e njohur si “Xhamia e Mulla Idriz Gjilanit” e ndërtuar në vitin 1936 dhe Kishën “Shën Ana”, e ndërtuar në vitin 1938 në fshatin Dunav të Karadakut.
Në aktivitetin e pare të “Muajit të Tolerancës dhe Solidaritetit” ka marrë pjesë Naim Aliu nga Bashkësia Islame në Gjilan, Don Dominik Qerimi nga Kisha Katolike, Naim Bllaca nga Kisha Protestante, sikurse edhe besimtarët e tri besimeve fetare.
“Është ide e kryetarit Haziri që Komuna të organizojë aktivitete të përbashkëta me bashkësitë fetare me qëllim të zhvillimit dhe kultivimit të tolerances ndërfetare dhe ndëretnike”, ka thënë këshilltari I kryetarit Haziri, Halit Rexhepi.
Tre përfaqësuesit e Komuniteteve fetare kanë shprehur falënderim për nismën e kryetarit Lutfi Haziri për këto aktivitete, duke thënë se Gjilani është shembull sa i përket tolerances fetare dhe ndëretnike në nivel vendi.
“Fshati Dunav është I vetmi që ka edhe xhami edhe kishë dhe e falënderoj kryetarin Haziri që na ka bërë bashkë për pastrimin e objekteve fetare, e që tregon se Gjilani është qyteti më tolerant në aspektin ndërfetar në Kosovë. Që nga Lufta e Dytë Botërore në Gjilan nuk mbahet në mend që ka pasur ndonjë problem mes besimtarëve të feve dhe dallimeve fetare. Do të jemi pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet që do të organizohen në kuadër të muajit të tolerancës”, ka deklaruar Naim Aliu, përfaqësuesi I Bashkësisë Islame në Gjilan.
“Rindërtimi, pastrami ose përpjekja për të përmirësuar gjendjen e objekteve fetare është një shenjë simbolike që tregon se është marrëdhënia jonë njerëzore, e cila, duhet të jetë rindërtim dhe një rifillim i një dialogu, ku ne duhet të punojmë së bashku në ndërtimin e shtëpisë së Zotit. Uroj që muaji tetor të bëhet tradicional sikurse “Flaka e Janarit”. Iniciativa e tillë e ndërmarrë mendoj se është një karakteristikë e Komunës së Gjilanit”, është shprehur nga ana e tij Don Dominik Qerimi, përfaqësues nga Kisha Katolike në Gjilan.
“Është për t’u përshëndetur ky hap I kryetarit Haziri sepse është një promovim I tolerances dhe ndërtim I fuqishëm I marrëdhënieve njerëzore në mesin e komuniteteve fetare. Kjo tregon se Gjilani është shembull I kultivimit të tolerances fetare”, ka thënë Naim Bllaca, nga Kisha Protestante “Ringjallja” në Gjilan.
Në kuadër të Muajit të Tolerancës dhe Solidaritetit, në Gjilan do të organizohet edhe një turne futbolli, një ekspozitë dhe një tribunë me temën “Toleranca ndërfetare në Komunë dhe me gjerë”. /2L ONLINE/