Futbollisti i SC Gjilanit, Yll Ibrahimi në konferencën për media para gazetarëve ka potencuar se skuadra ka potencialin për të qenë shumë më lartë.
Mbrojtësi i krahut të majtë ka folur edhe për përgatitjet e ndeshjes ndaj Prishtinës, teksa ka theksuar se ai dhe bashkëlojtarët e tij janë të gatshëm për të dhënë maksimumin në këtë përballje.
“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Do të shikojmë t’i ndëshkojmë në pikat e tyre më të dobëta, duke shfrytëzuar armët tona më të forta. Të dalim për të dhënë maksimumin dhe të marrim maksimumin e pikëve nga kjo përballje”, potencoi Ibrahimi.
Për më tepër Ibrahimi theksoi se ekipi ka qenë pa fat në disa ndeshje, teksa janë ndëshkuar nga rastet e vetme.
“Po bëjmë gjëra shumë të mira. Fati po na mungon tani e në disa ndeshje, pasi që po krijojmë shumë për të realizuar një gol”, tha ai.
Anëtari i Kosovës U21 ka folur edhe për transferimin e tij te ‘kuqebardhët’, duke riktheksuar se grupi meriton shumë më shumë se që kanë marrë deri më tani.
“Kam ardhur te Gjilani për një projekt afatgjatë. Kam parë një kontigjent të mrekullueshëm të lojtarëve dhe normalisht që duam dhe meritojmë të jemi shumë më lartë”, ka thënë Yll Ibrahimi.
Dueli ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. /2LONLINE/