Nora Gjakova është një fitore larg medaljes së bronztë të turneut Grand Prix Tel Aviv në Izrael, pasi që shënoi fitore në rundin e parë të repesazhit kundër xhudistes nga Azerbajxhani, Alexandra-Larisa Florian.
Xhudistja kosovare pësoi disfatë nga francezja Helene Receveaux në çerekfinale, duke e humbur kështu një vend në gjysmëfinale të turneut Grand Prix Tel Aviv, në kateogrinë e peshave deri në 57 kilogramë.
Gjakova e kishte prerë biletën për në çerekfinale duke e mposhtur rusen Anastasiia Konkina në rundin paraprak, atë të tretë, brenda 77 sekondave luftë.
Në anën tjetër, Erza Muminoviq u eliminua në rundin e dytë të kategorisë deri në 52 kilogramë, pasi u mposht nga braziliania Sarah Menezes. Flaka Loxha garoi në të njëjtën kategori me Gjakovën, mirëpo ajo u mposht gjithashtu në rundin e dytë, nga xhudistja nga Kazakistani Sevara Nishanbayeva.
Grand Prixi i Tel Avivit është gara e parë për 2020, e vlefshme për pikë Olimpike Tokio 2020.