/2L ONLINE/ – Shefi i Grupit të Këshilltarëve të AAK-së, Selami Xhemajli, ka mbajtur të mërkurën konferencë me gazetarë, ku në emër të grupimit të tij politik, ka paraqitur vlerësimet për punën e organit vendimmarrës në qeverisjen lokale. Xhemajli ka vlerësuar se Kuvendi Komunal i Gjilanit i ka përmbushur të gjitha detyrat e paraparë me planin vjetor të punës për vitin 2015. Po ashtu, ai u shpreh i kënaqur edhe me nivelin e demokracisë brenda asamblesë komunale.
“Duke marrë parasysh hapësirën që iu është dhënë të gjithë vendimmarrësve, pa dallim përkatësie politike, për të marrë pjesë në debatet për temat dhe çështjet që janë trajtuar, konsiderojmë se brenda Kuvendit Komunal në Gjilan është arritur një nivel i kënaqshëm i demokracisë”, ka thënë Xhemajli, duke nënvizuar se gjendja në arsim, në teatër si dhe tema të tjera, janë diskutuar me iniciativën e opozitës.
Ndihmesë të madhe në punë, Kuvendit i kanë dhënë edhe trupat ndihmës, komitetet obligative dhe jo obligative, sikurse edhe komitetet konsultative, që janë themeluar më vonë. Po ashtu, të dobishëm për fuqizimin e punës së Kuvendit, janë treguar edhe këshillat lokale.
Xhemajli ka thënë se ka ende hapësirë që Kuvendi ta fuqizojë rolin e vetë përmes komisioneve të ndryshme, që do të shërbenin për monitorim, përkatësisht mbikëqyrjen e realizimit të projekteve.
Ndërkaq, duke folur për rolin e grupit të këshilltarëve të AAK-së në Kuvend Komunal, Xhemajli tha se ata kanë bërë punë të mirë.
“Kemi qenë unikë në analizimin, vlerësimin dhe mbështetjen e projekteve të ardhura prej ekzekutivit si dhe të gjitha çështjeve që kanë qenë në interes të qytetarëve”, ka thënë ai, duke e vlerësuar të mirë edhe bashkëpunimin me partnerin e koalicionit (LDK) si dhe me subjektet tjera që përfaqësohen në Kuvend.
Edhe në pushtetin ekzekutiv, ku kemi dy drejtori si dhe postin e nënkryetarit të Komunës, kemi treguar aftësitë tona qeverisëse, përmes realizimit të projekteve konkrete në shërbim të qytetarëve, përkatësisht mbështetjes së projekteve të ndryshme komunale, ka thënë ai.
Xhemajli ka falënderuar kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, për mundësitë dhe hapësirën që i ka dhënë AAK-së në qeverisjen lokale. /2L ONLINE/