/2L ONLINE/ – Selver Xhelili, kryetar i Degës së Republikanëve të Kosovës, për Gjilan thotë se rajoni i Anamoravës në përgjithësi dhe ai i Komunës së Gjilanit në veçanti, me dekada të tëra, është anashkaluar nga ana e Qeverisë së Kosovës, e cila, mjerisht, në mënyrë selektive, po i financon projektet e investimeve të mëdha kapitale. Kryeqendra e Kosovës dhe disa qendra të tjera të ndara mbi baza rajonale, partiake, klanore, fisnore, po i vjelin donacionet vendore dhe ndërkombëtare, duke e lënë Anamoravën, visin nga më të pazhvilluarat në shkallë republike. Kjo praktikë, si duket po na përsëritet nga e kaluara e hidhur e ish regjimit komunistë, kur në rajonet provinciale si: Kamenica, pastaj Gjilani, Vitia e Ferizaj, dalloheshin nga qendrat e tjera shqiptare, aty ku gjendej substanca e komunizmit dhe aleatëve të tij. Kjo praktikë e hidhur, fatkeqësisht, po na përsëritet edhe sot me një stil të ri pluralist.
“Por, me të gjitha variantet e mundshme, në kuadër të dispozitave që kam, do të bëjë të pamundurën të jem kryetar i Komunës së Gjilanit, për t’i thënë “Stop!”, diskriminimit nga niveli qendror i qeverisjes”, shprehet Xhelili.
Ai shtoi se me angazhimin e tij, do ta ngrit imazhin e Komunës së Gjilanit, duke ia kthyer meritat dhe autoritetin, që kishte dikur si qytetet, ku lulëzonte biznesi, jehonte kultura dhe përparonte jeta sportive. Me reformat e ardhshme të pushtetit në Gjilan, do të vije fundi qeverisjes korruptive, nepotiste, klanore e provinciale. Do t’i jepte një grusht i fortë bandave e haraçeve, nga qytete e vende të ndryshme dhe do të krijohet një klimë e shëndetshme për investime kapitale në Komunën e Gjilanit.
“Unë si kryetar i mundshëm i Komunës së Gjilanit, do ta kushtëzoj Qeverinë, për ato që japim në emër të taksave e tatimeve t’i kthehen Anamoravës për zhvillimin e saj ekonomik e infrastrukturor. Gjithashtu, do të krijohen lehtësira në veprimtaritë e bizneseve, do të rikthehen bizneset gjigante, që gëzonte dikur komuna jonë, si dhe do t’i vije fundi kurorëzimeve të shpifura dhe fantome: LDK-PDK, duke iu falënderuar republikanëve, një force të re politike, e cila po angazhohet për një Kosovë ndryshe, për një Gjilan me qeverisje të mirë, për të gjithë qytetarët e saj, të cilët duhet të jenë krenarë pse janë gjilanas”, thotë Selver Xhelili, kryetar i Degës së Republikanëve të Kosovës, për Gjilan. /2L ONLINE/