(2L ONLINE) – Drejtues të Inspeksionit komunal të Gjilanit thanë se puna e deritanishme në terren e inspektorëve po jep rezultate dhe në këtë drejtim kanë përmendur edhe eliminimin e çmimeve të dyfishta në disa lokale afariste si dhe ndërgjegjësimin e atyre që ndërtojnë për t’u pajisur me dokumentacionin përkatës.
Selver Xhelili, drejtori i kësaj drejtorie ka thënë për 2L ONLINE se tani më nuk ka ankesa të qytetarëve të cilët më parë ishin të shumta se në disa lokale afariste, çmimi në rafte dhe ai në arkë nuk përputheshin. Xhelilii tha se kishin punuar në terren në këtë drejtim, dhe se ndonëse nuk precioz ku dhe sa janë ato raste, megjithatë ai tha se kanë pasur edhe të gjobitur për këtë çështje. Sipas tij, tani më nuk kanë hasur në raste të tilla, por ai tha se inkurajohen qytetarët që qysh në rastin e parë, kur ballafaqohen me një gjë të tillë, të lajmërojnë sa më parë në Inspeksion sepse do të merren masa menjëherë.
Përndryshe, Xhelili tha se edhe aksioni i mëhershëm i ndalimit, shiritimit të atyre objekteve që ndërtohen pa qenë të pajisura me dokumentacionin përkatës ka dhënë rezultate, pasi qytetarët janë vetëdijesuar dhe se po pajisen me dokumentacion përkatës.
Ai ka apeluar tek të gjithë ata që dëshirojnë të ndërtojnë të bëjnë këtë në bazë të ligjit, ndërsa inspeksioni dhe drejtoritë tjera përkatëse janë të gatshme t’u dalin në ndihmë në çfarëdo forme që ata t’i rregullojnë dokumentacionet dhe ti kryejnë punët në përputhje me ligjin.
Përndryshe, drejtori i drejtorisë së Inspeksionit, Selver Xhelili tha se po punohet me kapacitetin maksimal në të gjitha sektorët që i mbulon kjo drejtori dhe janë të interesuar që të ofrojnë shërbime për qytetarë dhe ta kryejnë punën e tyre sa më mirë, të gjitha ato detyra që bien në domenin e kësaj drejtorie, gjithmonë ashtu siç e parasheh ligji /2L ONLINE/