“Sot, pas 6 viteve angazhim dhe aktivitet në Lëvizjen Vetëvendosje, kam marrë vendim të dorëhiqem nga të qenurit kryetar i pikës më të madhe në Komunën e Gjilanit – Zhegër, dhe nga të gjitha strukturat përfaqësuese të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Xhelal Hajrullahu, në aktin e dorëheqjes.
Hajrullahu është edhe anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Përndryshe, ja akti i plotë i dorëheqjes nga Lëvizja Vetëvendosje
Të nderuar anëtarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! – Qendra në Gjilan
Sot, pas 6 viteve angazhim dhe aktivitet në Lëvizjen Vetëvendosje, kam marrë vendim të dorëhiqem nga të qenurit kryetar i pikës më të madhe në Komunën e Gjilanit – Zhegër, dhe nga të gjitha strukturat përfaqësuese të Lëvizjes Vetëvendosje.
I falenderohem të gjithë votuesëve të mi dhe aktivistët për angazhimin dhe sakrificën e përbashkët gjatë këtyre viteve sa isha në Vetëvendosje. Falë tyre edhe sot jam kandidati më i votuar për Asamble në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Demokracia e sotme në Lëvizjen Vetëvendosje! Qendra në Gjilan, është një demokraci me probleme dhe me demokraci jo të vërtetë. Mospajtimet në Lëvizje janë shfaqur nga aktivistë dhe qytetarë të shumtë para dhe pas zgjedhjeve lokale me kandidimin për kryetar komune, të deleguar nga niveli qendëror, e që rezultoi me humbje të këtyre zgjedhjeve.
Gjendja u përkeqësua edhe më shumë pas qarjeve të mëdha që ndodhën në nivel qendëror e që u manifestuan me dorëheqjen e një numri të caktuar të figurave që kanë bartur funksione brenda subjektit në nivel lokal. Një vit pas këtyre zhvillimeve kam menduar se Lëvizja do të transformohet dhe do të mbetet faktor shumë i rëndësishëm i jetës politike në Komunën e Gjilanit.
Pavarësisht këtyre proceseve problematike të brendshme, Lëvizja Vetëvendosje! – Qendra në Gjilan nuk arriti me kapërcy këtë sëmundje dhe po vazhdon ende me avazin e vjetër:
Mos shpërndarja e përgjegjësive në proporcion të barabartë në bazë të meritokracisë;
Injorimi dhe shpërfillja e antarëve dhe krijimi i favoreve për ata që janë të dëgjueshëm;
Privatizimi i Lëvizjes dhe vendimmarrja e koncentruar tek një numër i vogël personash;
Largimi i shumë figurave me peshë intelektuale shkaku i disa personave që janë me vite të tëra në organizatë e që shiten si pronar të saj., Këto janë disa nga arsyet që në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka vend për njerëz meritor dhe me vlera.
Këtë më së miri e dëshmon edhe mbajtja e mbledhjes së XVII-të të Këshillit të Qendrës, ku janë bërë zgjedhjet për plotësimin e kryesisë së Qendrës si dhe delegatëve në Këshillin e Përgjithshëm. Këto zgjedhje ishin të porositura dhe me kushte të padrejta për pjesëmarrësit.
Shumë anëtarë meritor, kontributdhënës dhe të strukturës kualifikuese superiore, nuk arritën me qenë pjesë e kryesisë së Qendrës dhe delegatë në Këshillin e Përgjithshëm.
Për këto arsye dhe shumë tjera, unë kam marrë vendimin më të vështirë në jetë për mua dhe për familjen time, aktin e dorëheqjes!
Mirënjohës dhe falenderues për të gjithë ata që bashkëpunuan me mua.
Deri në një vendim tjetër të ri, ashtu si deri më tani, unë do të vazhdoj t’i jetësoj bindjet e mia politike si Këshilltar i Pavarur në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Me respekt,
Xhelal Hajrullahu