Edhe pse zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi ishte kategorik kundër ndërhyrjes që kërkoi zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, forcat e xhandarmërisë serbe kanë hyrë në veri të Kosovës, raporton portali “Zëri.info”.
Ndërhyrja e xhandarmërisë serbe, nga ana e zv.kryeministrit kosovar është vlerësuar shkelje e sovranitetit, ai kishte kundërshtuar një kërkesë të Vuçiqit për ndërhyrje, mirëpo, sic raportohet nga terreni, xhandarmëria vetëm se ka hyrë në veri të Kosovës.
Gazetarja e “Zërit”, Besiana Xharra, ka raportuar se nga Serbia kanë arritur xhandarmëria serbe në veri, ndërkaq pritet që xhandarmëria serbe të arrestoj ata që kanë shkaktuar probleme në vendvotimet serbe.
Zëvendëskryeministri i Parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që Serbia të intervenojë për 45 minuta dhe ta rregullojë situatën pas sulmit të ekstremistëve në vendvotimin në Shkollën Fillore “Sveti Sava” në veri të Mitrovicës, kanë thënë për agjencinë serbe Tanjug nga kabineti i tij, transmeton Titulli.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
“Faleminderit Vuçiqit, por ne e kemi EULEX-in dhe KFOR-in dhe e ftojë Vuçiqin të mos brengoset”, ka thënë Kuçi për ORAinfo.
“Nuk vjen në konsiderim, me asnjë kusht, që asnjë mekanizëm tjetër, pos policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, të bëjë ndonjë veprim atje. Çdo ndërhyje nga ndonjë shtet fqinjë është shkelje e sovranitetit. Ne kemi kërkuar nga policia, KFOR dhe EULEX që të bëjnë maksimumin dhe atë do të menaxhojnë situatën”, pat deklaruar Kuçi