(2L ONLINE) – Lavdërimet e pushtetit gjilanas me të arritura, që prezantohen qoftë nga kreu I komunës, qoftë nga drejtorët e drejtorive komunale përmes konferencave me gazetarë, nuk i kanë bërë përshtypje Vetëvendosjes në Gjilan që vlerëson se në këtë komunë, në fakt ka pas më shumë fjalë se punë.
Kështu së paku shprehet Krenare Latifi Kqiku përfaqësuese e Vetëvendosjes, anëtare e Komitetit për Shërbime Publike dhe që pritet së shpejti të ulet edhe në ulësen e këshilltarit komunal, pasi që do ta zëvendësojë këshilltaren e deritanishme të Vetëvendosjes Besa Baftiu, e tërhequr, për shkak se ka fituar mandatin e deputetes.
Duke iu referuar deklaratave për të arritura në komunë, sidomos të bëra nga Sokol Hazirit, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike (shih shkrimin: Haziri: Drejtoria e Shërbimeve Publike më aktivja deri më tani që nga paslufta në Gjilan ), Krenare Latifi Kqiku ka thënë se po të ishte gjendja siç thonë zyrtarët e Komunës, edhe opozita, në këtë rast Vetëvendosje, do të ishte shumë e kënaqur dhe e lumtur.
Sipas saj, Drejtoria e Shërbimeve Publike duhet ta trajtojë me prioritet çështjen e kanalizimeve dhe ujërave të zeza në qytet, ku gjatë reshjeve të shiut, sheshet shndërrohen në pellgje të pa kalueshme.
“Me prioritet dhe në kohën e duhur duhet të bëhet edhe mirëmbajtja e rrugëve. Rruga Gjilan-Lladovë-Zhegër ka gropa të pa kalueshme, kurse frekuentohet nga më shumë se 7 mijë banorë të kësaj ane. Edhe rruga Gjilan- Malishevë-Pogragjë, që po ashtu frekuentohet nga më shumë se 5 mijë banorë, po ashtu është në gjendje të njëjtë”, ka thënë ajo, për të shtuar se banorët i kanë mbushur vetë këto gropa, pasi që dora e pushtetit ka munguar.
Ajo shprehet e pakënaqur edhe me dinamikën e punimeve në projektin për rregullimin e rrugëve në lagjen Dardania të qytetit, derisa vlerëson se as ndriçimi publik nuk mirëmbahet si duhet dhe si pasojë në disa lagje të qytetit dhe fshatra ka poqa që nuk bëjnë ditë.
Krenare Latifi Kqiku kërkon nga Drejtoria e Shërbimeve Publike që ta zgjidhë me prioritet edhe problemin e transportit urban, përpara se të krenohet me rrugët e rendit të tretë.
Përndryshe, për punët e mira që bëhen nga pushteti kudo në komunë, ajo thotë se Vetëvendosje edhe si opozitë do t`i përkrah ato.
“Ne si opozitë i kemi përkrahur dhe do t`i përkrahim punët e mira që bëhen nga ky pushtet dhe nga kushdo qoftë tjetër, mirëpo kërkojmë nga drejtori i Shërbimeve Publike që të angazhohet maksimalisht që t`i përmbushë këto obligime ndaj qytetareve të Komunës së Gjilanit”, thotë Latifi-Kqiku. /2L ONLINE/