(2L ONLINE) – Lëvizja Vetëvendosje mbajti sot tubim me qytetarët e Gjilanit, ku u diskutua lidhur me bllokimin që ia ka bërë pakica parlamentare shtetit, pra PDK-ja. Në këtë tubim ishin deputetët, Ismajl Kurteshi, Besa Baftiu dhe Kryetari, Albin Kurti.
Deputeti Ismajl Kurteshi tha se në një situatë kur procesi zgjedhor nuk kontestohet, dhe kur mbi 50% e deputetëve pajtohen për formimin e institucioneve, askush nuk ka të drejtë t’i pengojë. “Është me rëndësi të kuptohet se PDK-ja, që i ka tani 36 deputetë dhe ka dalë e para në zgjedhjet e 8 qershorit, nuk i ka fituar zgjedhjet. Kjo do të thotë se PDK nuk mundet t’i formojë institucionet. Institucionet mund t’i formojë vetëm subjekti ose koalicioni që i ka së paku 61 deputetë, e më shumë se kaq deputetë i kanë vetëm katër subjektet që e kanë nënshkruar marrëveshjen e 10 shtatorit”. Prandaj, shtoi ai, “koalicioni, duke e respektuar Kushtetutën dhe procedurat zgjedhore, por pa hequr dorë nga parimi bazë i demokracisë dhe pa humbur kohë, duhet ta zgjedh Kryetarin e Kuvendit të Kosovës e pastaj menjëherë edhe Qeverinë e Vendit”, tha Kurteshi.
Kryetari Albin Kurti duke iu drejtuar të pranishmëve, foli për dëmet që ia ka shkaktuar qeverisja e PDK-së Kosovës, për kapjen që ia ka bërë shtetit kjo parti, gjë që dëshmohet edhe me insistimin e Enver Hasanit, Flora Brovinës dhe Atifete Jahjagës në të drejtën e paqenë të PDK-së për ta mbajtur Kryeparlamentarin, si dhe për marrëveshjen e arritur më 10 shtator në mes VETËVENDOSJE!-s, LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s.
Lidhur me marrëveshjen e 10 shtatorit, ai tha se ajo përqendrohet në çështjet e zhvillimit ekonomik, tek rritja e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, tek reformat substanciale në arsim dhe shëndetësi, në forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për reformat institucionale dhe demokratike; në dialog të ri me Bashkimin Evropian për anëtarësimin e Kosovës edhe në NATO edhe në BE, në dialog të hapur me pakicën serbe ku i trajtojmë ata si qytetarë të Republikës në kuadër të zhvillimit për hir të zhvillimit.
“Në pikën e pestë, të marrëveshjes së 10 shtatorit, themi që angazhohemi për dialog parimor, cilësor, të përgatitur mirë e të udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Përveç kësaj ky dialog parimor duhet të jetë i tillë që e përfshinë parimin e reciprocitetit dhe të respektimit të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial” potencoi Kurti. Ndërsa sa i përket dialogut të deritanishëm ai tha: “Dialogun e deritanishëm do ta hetojmë e hulumtojmë me Komision Hetimor Parlamentar. 40 takime Thaçi-Daçiç. Nuk i kemi as transkriptet as procesverbalet. Andaj, dialogu duhet t’i nënshtrohet një hetimi, dhe gjithashtu do t’i përdorim mekanizmat për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të arritura, duke shfrytëzuar edhe Komisionin e Venedikut”, duke shtuar se PDK i bëri koncesione pafund Serbisë, bëri korrupsion pafund në Kosovë, dhe shkatërroi institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi.
Qytetarët donin të dinin më shumë lidhur me raportin në mes të VETËVENDOSJE!-s dhe LAN-it, me ç’rast Kurti tha se shumica parlamentare nuk është e përsosur aspak në të mirën e saj, mirëpo e dimë që kjo shumicë parlamentare është për kundruall PDK-së, e cila është gati e përsosur në të keqen e saj. Pasi përmendi disa nga krimet skandalet që PDK i ka bërë gjatë qeverisjes, Kurti tha se këta njerëz nuk e kanë vendin në pushtet, por në burg. “Mirëpo, pikërisht këta e kanë kapur shtetin, në mënyrë që gjyqësia, prokuroria, policia, Presidentja, Gjykata Kushtetuese, të mos jenë në shërbim të qytetarëve por në shërbim të kësaj partie shtet e cila e kupton se është në liri vetëm kur është në pushtet. Posa ta humbin pushtetin, këta e dinë që e humbin edhe lirinë”, u shpreh Kurti.
Disa nga të pranishmit që morën fjalën në këtë tubim, kërkuan që të ndërmerren hapa konkretë, sa më shpejt, për konstituimin e Kuvendit dhe më pas formimin e Qeverisë. “Të mos presim më shumë se populli është lodhur tashmë. Duhet të formohen institucionet nga ata që e kanë shumicën në Kuvend. Prandaj, deputetët e VETËVENDOSJE!-s dhe LAN-it duhet të insistojnë më shumë në të drejtën e tyre”, tha njëri nga qytetarët e Gjilanit. /2L ONLINE/