Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që ta ngrejë çmimin për të gjitha blloqet e tarifave të energjisë elektrike për 5.18%. Kjo rritje vjen pas ngritjes së mëhershme të çmimit për 4.57%, vendim ky që u arrit në korrik të këtij viti. Pra, dy herë radhazi kemi ngritje të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, thuhet në një reagim të vetëvendosjes.
Më tej thuhet se “Shqyrtimi i jashtëzakonshëm erdhi si rrjedhojë e shpërthimit në Termocentralin Kosova A, shpërthim ky që ia pamundëson këtij termocentrali prodhimin e energjisë elektrike. Qytetarët e Kosovës asnjëherë nuk u informuan për atë se si ndodhi shpërthimi dhe nga çfarë u shkaktua ai. Krejt çka kemi parë janë raportimet e kryeministrit në ikje Hashim Thaçit nga vendi i ngjarjes, i cili në atë ditë të fundit të fushatës zgjedhore shërbente sikur korrespondent i RTK-së nga KEK-u. Askush nuk u vu para përgjegjësisë për këtë shpërthim.
Vendimi i ZRRE-së për ngritje të çmimit bazohet në domosdonë për rritje të importit për furnizim të rregullt me energji elektrike. Pra, rritja në fakt do të jetë përfitim për kompanitë që i shesin energji Kosovës. Dihet botërisht se këto kompani janë kryesisht nga Serbia, të pronësuara nga njerëz si Vuk Hamoviq e Damir Fazlliq, të cilët njihen ndryshe edhe si “mafia energjetike e Ballkanit”. Këta, natyrisht që i kanë filialet e tyre edhe në Kosovë të drejtuara nga njerëz të afërt me Qeverinë. Madje nuk ka si shpjegohet ndryshe neglizhenca absolute që i është bërë zhvillimit të sektorit të energjisë nga kjo qeveri për 6 vjet në pushtet.
Në vendimin e ZRRE-së thuhet edhe se kërkesa për rritje të të hyrave maksimale për KEK-un është refuzuar. KEK-u e kishte bërë këtë kërkesë për ta rritur mundësinë e investimit në riparim të dëmeve të shkaktuara. ZRRE-ja e pranon që KEK-u do të ketë vështirësi në inkasimin e të hyrave (të cilat i inkason duke shitur energji të prodhuar, e që nënkupton se nuk do të ketë inkasim nëse nuk ka prodhim), por për ta sanuar këtë gjendje i kërkon Qeverisë të ndërmarrë masa. Pra, kërkesa për rritje i aprovohet vetëm KEDS-it (privat) por jo edhe KEK-ut (publik). Kështu shkatërrohet publikja në dobi të privatizimit. Dhe për këtë i kërkohet qytetarëve ta paguajnë. Për më tepër pamundësohet sanimi i kapaciteteve gjeneruese për ta përzgjatur varësinë nga importi.
Privatizimi i KEDS-it është arsyetuar, mes tjerash, edhe me rritje të efiçiencës në menaxhim si dhe me rritje të investimeve për reduktim të humbjeve. Qartazi nevoja për ngritje të vazhdueshme të çmimit të energjisë po e dëshmon që efiçienca në menaxhim po bie. Për vite me radhë nuk ka pasur shtrenjtim të energjisë elektrike, deri në vitin 2012 në vigjilje të privatizimit kur çmimi u ngrit për 8.9% dhe tash me këto dy shtrenjtimi të njëpasnjëshme. Prej se është privatizuar KEDS-i përveç që po e paguajmë më shtrenjtë energjinë elektrike edhe furnizimin po e kemi më të pakët. Ndërkohë që investimet kanë stagnuar. Pronari privat i KEDS nuk ka investuar asgjë në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, përveç disa matësve të energjisë të cilat edhe ashtu ishin blerë në kohën kur kjo ndërmarrje ka qenë në pronësi publike”.