Ministri pa portofol i ngarkuar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, u tha gazetarëve të Banja Llukës se Beogradi zyrtar do të reagojë ndaj vendimit të Kosovës për të vendosur regjimin e vizave për qytetarët e Bosnje-Hercegovinës.
”Ne do të kërkojmë nga miqtë tanë në komunitetin ndërkombëtar për të bërë presion mbi Prishtinën”, tha Vulin, raporton ”Nezavisne Novine”.
Sipas tij, “periudha e masave të njëanshme nga Prishtina duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”.
”Prishtina këtë e bënë në kuadër të bisedimeve me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së, kudo që mundet, duke u përpjekur në këtë mënyrë të dënojë të gjithë ata që nuk e mbështesin”, tha ai, duke shtuar se sipas Rezolutës 1244, Kosova nuk ka të drejtë ta bëjë këtë, “meqë Kosova është nën administrimin e OKB-së”.
“Frika e tyre është se shteti i Serbisë është i fortë, se shteti i Serbisë është me popullin dhe se shteti i Serbisë mbetet këtu”, ka shtuar ai. “Ata që janë të prirë për dhunë tregojnë sa të dobët janë”, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve lokale në Kosovë, ku lista “Srpska” e mbështetur nga Serbia ka fituar 10 komuna, “tregon se në cilën anë është populli i Kosovë”.