Është vrarë në Rahovec, për motive ende të panjohura, kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elvis Pista. Vrasja është raportuar edhe nga Policia e Kosovës. Sipas një komunikate nga policia në Rahovec, thuhet se rreth orës 00:45 min në oborrin e restorantit “Haja Petrol” në rrugën transite ka ndodhur një vrasje.
“Sipas informatave të para nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se E. P. nga Rahaveci kishte qenë në restorant me disa të njohur dhe posa kishte dalë nga objekti se bashku me bashkëshorten dhe të njohur te tjerë me te cilët kishte qëndruar ne restorant është qëlluar nga mbrapa me armë zjarri në një distancë rreth pesë metra largësi”, thuhet në komunikatë.
Sipas gëzhojave të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes besohet se arma është e kalibrit të vogël dhe mund të ketë pasur “shurdhues” të zhurmës.
“Sipas vendit të ngjarjes besohet se i dyshuari kishte zënë prit pas një muri që ishte i mbuluar me një bime dekorative me gjethe të shpeshta dhe nga ajo pozitë e ka qëlluar viktimën me katër plumba. Pas marrjes së plagëve, viktima është dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Rahavec për ndihmë, mirëpo mjeku ka mundur vetëm të konstatojë vdekjen”.
Në vendin e ngjarjes për hetimin e rastit kane qenë te pranishëm: drejtori rajonal, shefi i hetimeve rajonale; krim teknika : Njësiti K-9 (qentë nuhatës) dhe prokurori i shtetit. Po ashtu edhe mjekoligjorët kane qenë te pranishëm me ç’rast e kanë marre trupin e pa jetë për autopsi. Rasti po hetohet nga hetues të krimeve të rënda nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri sado të vogël rreth rastit ta ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit të vrasjes.
Policia rajonale e Prizrenit ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur atentati në Pistën, që kishte fituar votat për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës.
KTV-së i është thënë në vendin e ngjarjes se të shtënat nuk janë dëgjuar, dhe se Pista është qëlluar 4 herë me armë me silenciator. Vrasësit e kanë pritur Pistën në afërsi të një trafoje elektrike afër restoranit ku ai ishte.
Pista ka qenë në Rahovec në një festë familjare, kur është qëlluar katër herë në një parking veturash, të një restoranti në këtë qytet. Ndaj Pistës, mësohet se është shtënë me armë, plagëve të të cilave ai nuk ka mundur t’iu mbijetojë. Ngjarja ka ndodhur në mesnatë.
Pista ka qenë djali i vetëm i familjes, ka qenë i martuar dhe nuk ka lënë fëmijë.
Ai ka synuar ulëse të deputetit me PDK-në, teksa është inkuadruar frik në politikë. Kishte deklaruar se ai do të tërhiqej nga politika në rast se PDK-ja nuk i fiton zgjedhjet në nacionale dhe nëse Hashim Thaçi nuk bëhet sërish kryeministër, ndërsa qytetin e tij të lindjes, Rahovecin, e quante jo bastion por “shtëpi të PDK-së”.