Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton se sot, më 2 maj 2019, rreth orës 09:30 minuta, në fshatin Sodovinë e Qerkezve, komuna Viti, si pasojë e një rrahje mes dy familjeve, në të cilën janë përdorur mjete të forta, një person është privuar nga jeta, ndërsa disa të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.
Me të njoftuar me rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësia e Hetimeve Regjionale, të Policisë së Kosovës, si dhe prokurori kujdestar, të cilët kanë vëzhguar vendin e ngjarjes, ku prokurori i shtetit ka kërkuar që trupi i pa jetë i viktimës, të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.
Për këtë rast, janë arrestuar 5 (pesë) persona, të dyshuarit B.I. dhe F.I., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Vrasje’’, ndërsa të dyshuarit I.I., I.I. dhe S.I., për shkak të veprës penale ‘’Pjesëmarrje në rrahje’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku për të njëjtit është lëshuar aktvendim mbi ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Viktima e rastit M.I. (1960), është i afërm i të dyshuarve – kushëri i tyre, me ç’rast dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor.
Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të ndërmerrë të gjitha veprimet e tjera hetimore.