Për një vjedhje që kishte ndodhur në fshatin Lladovë, të komunës së Gjilanit, ankuesi, kishte raportuar në polici se person-a të panjohur ia kishin thyer dhe demoluar lokalin e tij, shitore mallrash, me ç‘rast kishin arritur qe t’i vjedhin një sasi të konsiderueshme të cigareve të llojeve të ndryshme në vlere, 1000 euro, si dhe ia kishin vjedhur edhe arkën e parave në të cilën kishin qenë para në vlerë prej 50 euro.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Policia e Kosovës, njësitet e hetimeve të stacionit policor të Gjilanit, iu kanë përgjigjur këtij rasti, ku përmes rrugëve operative kanë arritur që t’i identifikojnë dy të dyshuar, shqiptar shtetas të Kosovës me banim rezident në Komunën e Podujevës, M.K. (1988) dhe F.K.(1960).
“Me 25 shtator 2018 me urdhëresa të lëshuara nga Gjykata Themelore në Gjilan me asistencë edhe të njësive përkatëse nga Prishtina është bastisur shtëpitë dhe objektet përcjellëse të dy të dyshuarve në fshatin Lladoc, Komuna Podujevë si dhe në qytetin e Podujevës. Nga ana e Policisë së Kosovës janë arrestuar dy te dyshuarit e mësipërm”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, i dyshuari M.K. (1988) ka rezultuar te ketë tri urdhër arreste aktive, ku në njërën urdhëresë figuronte se ishte arratisur nga burgu i Smrekonices, i njëjti pas procedurës hetimore iu ka dorëzuar njësitit të urdhëresave te stacionit policor të Podujevës, te cilët e kanë dërguar menjëherë në burgun e Dubraves për vuajtje të dënimit.
Ndërsa, i dyshuari F.K.(1960), pasi është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.
Rasti është duke u hetuar pasi që të dyshuarit besohet të jenë të involvuar edhe në raste tjera të veprave penale “Vjedhje e rëndë”.