“Kërcënimet” e minoriteteve se nuk do ta votojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, pa garantimin e vendeve të rezervuara edhe për një mandat, analisti Azem Vllasi i ka quajtur jo të drejta. Ai mendon se institucionet e Kosovës nuk kanë nevojë që ta sforcojnë kaq shumë këtë çështje.
Vllasi tha për Telegrafin se Kosova ka bërë kompromis edhe për gjëra më jetike për Kosovën, prandaj nuk duhet që të shtyhet transformimi i FSK-së në FAK, shkaku i vendeve të rezervuara edhe për një mandat.
“Ne jemi mësuar me kushtëzime, me presione, me vendime të gatshme. Duhet parë se si ky legjislativ me shumicë votash e ka votuar Gjykatën Speciale, për krimet e supozuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Rastet e supozuara do të mund të gjykoheshin edhe nga gjykatësit vendorë. Mirëpo, ne jemi mësuar që dikush tjetër të na mësoj se si të veprojmë”, ka thënë Vllasi për Telegrafin.