Në godinën e Qeverisë së Republikës së Serbisë, të martën, është mbajtur takimi i radhës mes liderëve shqiptarë dhe përfaqësuesve shtetëror, me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve, për vlerësimin e numrit të popullsisë në Luginë të Preshevës.
Burimet nga ky takim i ka thënë portalit Titulli.com se pala shqiptare është ndarë e pakënaqur pasi numri i shqiptarëve në këtë vlerësim, nuk përkon me atë në terren.
Titulli ka mësuar se numri i përgjithshëm i banorëve rezident në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është vlerësuar në rreth 75.300 (Presheva: 29.600, Bujanoci: 38.300 dhe Medvegja: 7.442).
Nga ky vlerësim i fundit jo përfundimtar nga organet vendore, del se në tri komunat e Luginës së Preshevës jetojnë rreth 48.000 shqiptarë, dukshëm më pak se në regjistrimin e vitit 2002, kur në Luginë u evidentuan se jetojnë 57.595 shqiptarë, rreth 5.600 shqiptarë më pak se para 13 viteve.
Sipas regjistrimit të vitit 2002, në këtë rajon, në jug të Serbisë, jetonin 88.966 banorë shqiptarë, serb, romë dhe kombësi tjera.
Delagacioni shqiptarë i përbërë nga liderët politik, dy deputetët popullor Riza Halimi, Shaip Kamberi, kryetarët e Komunave Preshevë dhe Bujanoc, Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi si dhe kryetari i KKSH-së Jonuz Musliu, nuk e kanë pranuar këtë vlerësim të numrit të popullsisë në Luginë.
Madje, ata janë ndarë të pakënaqur edhe me mbledhjen e organizuar, që sipas tyre, nuk ishte serioze, me një kohë të limituar dhe pa shpërndarjen e materialeve mbi bazën e së cilës edhe është bërë vlerësimi i numrit të popullatës, duke pasur vërejtje në formë dhe përmbajte.
Pala shqiptare ka kërkuar që me shkrim ti dorëzohen të dhënat në mënyrë që të vendoset për hapat e mëtutjeshme.
Në takimin e sotëm, përveç përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë kanë marrë pjesë edhe delegacioni ndërkombëtar i përbërë nga Ambasadori i OSBE-së në Serbi, Peter Burkhard, Përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-së dhe nga Delegacioni i BE-së.
Duhet theksuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë përgjigjur regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, i mbajtur në territorin e Republikës së Serbisë.
http://titulli.com/index.php?m=post&s=15177