/Rreth librit eseistik të Mehmetali Rexhepit: “Enigma e magjikës” botoi “Faik Konica”, prishtinë, 2011/
Sherafedin KADRIU
Vlerësimet eseistike të Mehmetali Rexhepit, veçanërisht shkrimet kritike që kanë të bëjnë me veprat artistike të autorëve të ndryshëm që janë objekt trajtimi në veprën “Enigma e magjikës”, ndryshe nga ç`jemi mësuar të lexojmë në shkrimet dhe veprat e kohës, edhe ato që konsiderohen si kritikë moderne, duket që kanë ndikuar që në provincë të përflitet hera-herës, sidomos në rrethe të ngushta, për krijime që shkruhen apostafat për një rreth të caktuar shoqëror, rreth letrar elitar të formësuar po me shije elitare.
Me një gjakim shijeje estetike krijuese dhe kritike, ndërtimesh eseistike, Mehmetali Rexhepi ka dëshmuar për rrokje analitike e gjykimesh origjinale, ndryshe nga kritikë të tjerë. Vlerësimet e tilla, krahas trajtimit teorik-analitik, fshehin në vete një veshje rishkrimi a rikrijimi të veprës së trajtuar.
E veçanta e shkrimeve të tija prezanton dialogun ndërmjet vepër-shkruesit dhe analitikut, që për referencë ka mënyrën jo si shkruhet realiteti, por mënyrën si krijohet iluzioni për akëcilin realitet.
Formë-shkrimi dhe ndërtimi i përmbajtjes me shprehje hera-herës të pazëvendësueshme, edhe kur ato kanë dalë nga fjalori i shqipes, edhe kur prejardhja ose kompozitat janë ndërtuar forcërisht, ndonjëherë zmbrapsen para semantikës së thënies, e cila edhe ashtu ka kërkuar pak ndihmë në gramatikë. Vetëm si të tilla, shprehjet prezantojnë thënien simbolike dhe njëkohësisht filozofike, të cilën e ka për qejfi Rexhepi.
Në përsiatjet teorike-imagjinare, frazat e tija transformohen në mënyrë komplekse; në të shumtën e rasteve mund të përkufizohen si fraza figurash: anasjellash, metaforash e simbolesh. Dhe krejt kjo lehtë perceptohet. Analiza dhe ndërtimi i veprës së marrë për shqyrtim bashkëveprojnë në shkrimet kritike të këtij libri, mjaft unik në kritikën letrare.
Prirja për eseistikë letrare e Mehmetali Rexhepit sendërtohet nga referenca vlerësuese dhe rikrijuese nëpërmjet monologut dhe monologut të dialogëzuar, siç e emërton ai më me dëshirë dialogun.
Vepra “Enigma e Magjikes”, është ndarë në shtatë kapituj: 1. Përsiatje imagjinare 2. Përqasje estetike 3. Art-jetëshkrimi 4. Metafora e dhimbjes 5. Kureshtje e përmasa të valorizuar 6. Relievit të lirisë dhe 7. Flijim-sublimja.
Duket se kapitujt janë emërtuar duke pasur për bazë përmbajtjen e shkrimeve. Ndërsa radhitja e tyre shpërfaq fillimisht Përsiatjet Imagjinare për vlerat dhe vlerat e shpifura të veprave, për poezinë, bukurinë dhe çiltërinë e saj, për enigmën e burimit magjik të krijimit letrar, për origjinalitetin e cicërimave të shqipes dhe margaritarëve botërorë; më pas në kapitullin Përqasje estetike ka trajtuar disa tregime të Hivzi Sylejmanit dhe poemthin e Vehbi Kikajt “Kangët për nipin e vogël”. Janë aspekte qasjesh etike e estetike, stilistike e teknike, teorike e analitike.
Mehmetali Rexhepi është ndalur veçmas në trajtimin e dy figurave të mëdha të artit letrar të trevës së Anamoravës, Rexhep Elmazit dhe Beqir Musliut, të cilët përfaqësohen në një kapitull të veçantë të titulluar Artjetëshkrimi.
Për të parin, Rexhep Elmazin, pasi e ka shpërfaq poezinë e tij në aspekte të ndryshme, ka konstatuar hidhur, jo pritshëm: “Godina poetike që nisi i mbeti pa kulm, por me shkallare për ngjitje deri te e bukura”, ndërsa për të dytin, të cilin e përkufizon si Magu, me M të madhe se ishte i madh, se shkrimet e tij e bënë të madh, dhe tek pasi ka piketuar individualitetin formues e krijues të autorit, dhe tek pasi ka analizuar dhe vlerësuar veprimtarinë letrare të Beqir Musliut, ka konstatuar bindshëm: “Jeta e këtij Magu identifikohet dhe përmbyllet në metaforën e shkrimit. Kjo metaforë nën kopertina arkitekturon sublimen e artjetëshkrimit”.
Në këtë libër, ka vlerësime për vepra të arrira shkrimtarësh, si: Ramadan Mehmeti, “Loja e ruletit”, Shefik Shkodra “Shtjella”, Sabit Rrustemi “Atdheu real”, Sarë Gjergji “Terapia e vdekjes-rekuiem për Kosovën”, Nuri Plaku “Dhimbja e lisave” dhe njërës nga femrat poete, Hasije Selishta-Kryeziu, “Lule ajri”.
Gjithsesi që janë dhe vështrimet për librat kritikë të përfshirë në kapitullin Kureshtje e përmasa të valorizuara: Nuhi Ismajlit, “Nga vlerat e traditës”, Ilhan Berk, “Logos, Tahir Arifit, “Poezia e Rexhep Elmazit” dhe Shefik Shkodrës, “Albania e Konicës – Pergamenë shqiptare”.
Kapitulli i parafundit i Relievit të lirisë dhe ai i fundit Flijimsublima, njëkohësisht janë shkrime vlerësuese për veprat që kanë për temë përsiatjet atdhetare të shqiptarëve, pjesë e të cilave qe edhe vetë Mehmetali Rexhepi dhe patjetër edhe krijimet artistike origjinale të kësaj natyre. Janë tre emra: Ismajl Syla, Selatin Novosella dhe Bislim Pireva veprat e të cilëve trajtohet në aspektin kritik nga Mehmetali Rexhepi.
Autori ka shkrirë shpirtin e kritikut dhe vlerësuesit për veprat e tilla, të cilat krijuan magjikën në artin letrar, sikundër edhe është shkrirë vetë në krijimet artistike. Kjo pse, i ka ndjerë emocionet e dikurshme, ngaqë i ka prekur shokët që nuk janë më, e ka ndjerë mallin ngaqë i ka bashkëjetuar dikur vuajtjet me ta burgjeve serbe, hera-herës është hidhëruar ngaqë pati të atillë që i nëpërkëmbën kushtimet flijuese, po shpërtheu guximshëm sepse flijimsublima solli fjalën ëndërruese për shqiptarët e Kosovës, – fjalën Liri.