Ta interpretosh një vepër në distancë kohore prej 50 vitesh, nuk është një punë e lehtë. Sipas Gadamerit është një tipar produktiv i marrëdhënies ndërmjet vlerësuesit dhe veprës. Vështruar në këtë aspekt, poema Skënderbeu e Beqir Musliut edhe sot përligj kuptimësi të shumta sa herë lexohet. T’i bëhet vend vetëm botimit “Skënderbeu ose shqiponja e maleve“ – kurorë sonetesh („Jeta e re“, Prishtinë, 1968) ose Ode mbi Skënderbeun, botuar në vitin 2018, nuk është e përfillshme, sepse poema si tërësi shpërfaq vlera artistike të nuancuara, të cilat mund të hetohen, perceptohen dhe shijohen njëkohësisht.
N|ga: Sherafedin KADRIU
Në poemë bashkëjeton historia me mitologjinë, ndërsa paraqitja te shprehurit lirik, në raport me ngjarjen e caktuar, dhënia kah tjetër mendimit nga ç’e presim dhe dialogët dramatikë, manifestojnë dimensione imagjinare të poemës që vishen me petka përgjithësuese të dukurive.
Nuk është fryma liberale e kohës ajo që mundësoi shpërfaqje të lirisë absolute. Edhe atëherë pati një përkujdesje në raport me censurën, sepse poeti e kishte provuar si gjimnazist çfarë do të thoshte të burgoseshe nga UDBA. Në rrethana të tilla, poeti ishte i vetëdijshëm për mundësitë e tërheqjes së penjve në një situatë tjetër. Pra, Beqir Musliu ruajti për vete lirinë krijuese, duke e shprehur në trajta e forma nga më të ndryshmet, kryesisht më i mbyllur, më hermetik, sepse nuk pranonte që askush t’ia cenonte dhe t’ia dhunonte atë liri krijimi që ishte në pajtim me universalizmin si divergjencë, jo si inkorporim, ndërsa, mbyllja a hermetizmi nuk është ai abstraksioni i pakapshëm, përkundrazi, siç thoshte Ibrahim Rugova, abstraksioni ishte element poetik i të të folurit kuptimor.
Poema i qëndron besnike rregullsisë teorike, ndërsa në aspektin kuptimor ndjehet një rrëfim homerik i veshur me madhështinë e kryeheroit, pjesë e jetës të të cilit janë njerëzit e thjeshtë, vasha e nuse, fëmijë, pleq edhe trima patjetër, përkundër një ushtrie zulmëmadhe.
Nisma e poemës vjen si nëpër mjegull nga kujtimet, nga përjetimet e zgjuara për ta shpërfaqur rrugën, herë pa fatin, e rrallë me të, atë rrugën e kërkesave për jetë më të mirë, për drejtësi, atë rrugën e çlirimit që manifestohet në 500vjetorin e vdekjes së kryetrimit. Nga këtu edhe FRYMËZIMI i harruar si Elikoni, në selinë e Apollonit dhe muzave, si mjet përcaktues tonesh dikur në Greqi, sot frymë e zë për ushtri. Sa vizionar ky poet! Kaq mjafton për të sendërtuar ëndrrën e gjakuar nga Beqir Musliu derdhur në varg të hatëruar pse “lulëzoi në buzët e hinit”. Pra, ëndrra e tij është ëndrra e popullit, që tejkalon jetën e poetit, për të cilën ia vlen të flijohesh, për t’ua mbajtur të gjallë iluzionin atyre që besojnë pafundësisht në ëndrrën si pikësynim, pa të cilën mbetemi të zbrazët.
Mitologjia e kësaj poeme, e veshur me kohën e poetit, e ka liruar semantikën nga inferioriteti duke u manifestuar si ngjyrë autoktone: Me udhëtue me Pegazin tim, që n’pafuqinë time e kam mbërthy’, shprehet autori për frymëzimin e të shkruarit poezi, që lind nga limfa e meduzës aty ku shpërthen burimi Ipokren, mbi malin Elikon. Sërish frymëzimi në selinë e tij, në perandorinë e artit mitologjik për të klithë në krenari vetë Dheu.
Në poemë vërehet një rrjedhë historike me procese të përzgjedhura që poeti i konsideron të pakapërcyeshme; ai nuk ka për qëllim t’i përfshijë të gjitha manifestimet veprimtare të figurës historike, Skënderbeut, por t’i “zbulojë shtresat e ekzistencës së tij”, që në planin kuptimor do të thotë të zbulojë absurditetin historik, për të vendosur vazhdimësinë mitike të ekzistencës.
Hyjnizimi i lindjes së “shpëtimtarit të Arbënisë që si një Ylber ndriti n’natë”, merr konotacion paksa religjioz, ndryshe do të thoshim si dukuri gëzimi për qëndresë, jo për protestë, ku secila periudhë kohore rikthen të kaluarën e ndritur, e në mesjetën e Gjergjit magjia shkoi me e zgjue n’kohë trimneshën Teutë. Beqir Musliu është nga ata autorë që ka ditur se çdo do nga vepra e tij. Prandaj, ai duke gjurmuar poetikisht historinë e periudhës së madhërishme të Skënderbeut, ka këmbëngulur në identitetin kombëtar të ekzistencës dhe gjenezës ilirike.
Më pas vjen periudha e nismës së errësirës për lulen që me lulëzue as në pranverë nuk e la Harusha e zezë a Luani i untë që u shtri Kontinentit të gjanë, me zanat e Aresit që i përdrodhi vetë Hyjnia; kthimi i Skënderbeut në Krujë është njëri prej proceseve që nuk është se ofrohet si tekst antik ku mund të marrësh vetëm atë që thotë autori. Përkundrazi, Beqir Musliu, sikundër disa nga kolegët e tij, si Ali Podrimja e ndonjë tjetër, kishte filluar të ofronte tekst bashkëkohor e simbolik në të njëjtën kohë, ku pjesëmarrja jonë mund të jetë aktive, ku mund të zgjedhim atë që duam:
Tani të gjitha lulet u shëruen nga bryma dhe vesa
E – zogjt e urtë nga hini dhe sëmundja e parë e arbrit –
“këtë kohë, o, duhet me dashunue n’kohë, dhe – zjarrit
Me ia dhurue edhe këtë ditë t’kuqe që e ushqeu shpresa”
S’ka sesi e tejkalon as pendimin e Mojsiut sepse Lulen duhet me ruejtë prej stuhive e brymës përnatë…! shprehet poeti. Po ç’hyn lulja në këtë mes, te Moisiu shpatë e gjak? Kësaj here hyn medoemos, sepse është ajo lulja e mbjellë nga dashuria e rrezes së diellit që të ka ngrohur për herë të parë. Apo nënteksti thotë diçka që nuk e ka thënë historia… !?
Pjesa në vazhdim është strukturuar si dialog veprimi nëpërmjet figurës së fjalorit poetik, antonimit të shtrirë, për të krijuar antipodet e veprimit dhe shëmbëllimit: Gjergj-Ballaban. Dhe jo pa qëllim, është një pjesë e veçantë kjo në këtë poemë, e njohur historikisht, por e strukturuar artistikisht, për njërin si esencë e riaktivizuar, ndërsa për tjetrin si koncept i tragjikes.
Rëndësia e riaktivizuar është frymëzuar nga dëshira Me i këndue krenët Arbën ndër kohë – pa tutë…,dhe nuk është fjala për ndërkohën historike, por për kohën si fryëmarrje poetike, e cila luan me fenomene nga më të ndryshmet: madhështinë e bukurinë në njërën anë, tragjiken e ironinë në anën tjetër. Duket së në këtë pjesë a cikël poeme ka bazën Bukuria e zezë, e cilanuk lindi rastësisht. Elementin e tillë na e zbulon flora e zezë e kësaj poeme (f. 58) ose Bukuria e shëmtueme (f. 87).
Koncepti i tragjikes është trajtuar edhe si bashkëbisedim zërash, të cilat pas vdekjes së Gjergjit kanë klithur të trishtuara: Ma as Zoti nuk ka me na zgjue në kumbonë. Edhe ato, si njeriu, e dinë mirë se Skënderbeu nuk ishte produkt i mitologjisë, ishte prijës real, në mesjetën e errët ishte shpata e qytetërimit, për të mbetur në ndërgjegjen kombëtare të secilit brez që shpërfaqet si rrafsh ngjizjeje me veprimin dhe përfundimin njëkohësisht.
Rrafsh tjetër poetik është pasoja e pritshme: rënkimi është i natyrshëm. Të dy këto rrafshe krijojnë, pastaj, rrafshin qendror – qëndrueshmërinë kombëtare në historinë e mbarsur me rreziqe nga më të ndryshmet. Ndoshta vetëm në këtë linjë vështrimi ka kuptim vargu: Me mbrojtë qetësinë tande me shqipen të lirë… Me të e për të, Gjergj Kastriotin pra, bota jonë nacionale thellësisht njerëzore, humane, gëzimesh të rralla, pësimesh e sakrificash të shpeshta, personifikohet me shqiponjën, zogun, lumin, murin madhështor të Kalasë, malin, bjeshkën e flamurin patjetër, sepse të gjitha këto shprehje simbolike janë ruajtësit më të mirë të bëmave të legjendarit Skënderbe.
Kurora sonetike “Odë mbi Skënderbeun”, e botuar në vitin ’68, e përbërë nga 14 sonete, është ndër pjesët më të arrira artistikisht të poemës. Soneti i fundit i titulluar Magjistrali, përbëhet nga vargjet e para të soneteve, duke dhënë emrin e Gjergj Kastriotit, edhe si përkushtim. Në të vërtetë, vargu i fundit i tercetit të dytë të secilit sonet është prijës i sonetit pasardhës. Në këtë mënyrë funksionon akrostiku, i cili ka përmbledhur shkurtimisht e poetikisht rrafshin kuptimor të tërësisë së kurorës.
Në këtë pjesë të poemës, ka një perspektivë ndryshe, një intensitet ndryshe nga pjesët tjera, ku ngjizet ndryshe subjekti poetik, ku theksohet dhe universalizohet vlera kombëtare edhe në tokën kosovare:
E nipat e tij me shqipen burrnore dhe krenare;
Mbollen farën ma të mirë n’arat e Besës –
Me atë farë çelën edhe lulkuqet n’tokën kosovare!
Një poemë e këtillë, e mbrujtur me lëvizje dramatike, s’ka sesi të mos prekte anën tjetër të njeriut, atë ngarkesën shpirtërore – dashurinë, që për Gjergjin nuk qe marrëdhënie politike, as ekonomike, as kërkim balancash, as marrëdhënie aleatësh. Së paku, kështu e ballafaqon lexuesin poeti:
Për synin e ma të bukurës Hyrije, trimi vetë
Kërkoi me një zanë shqiptare me ba kunorë.
Figurshmëria poetike
Në poemën “Skënderbeu” janë përdorur figura të ndryshme. Ndër to metafora simbolike a metafora e përsëritur, që e shquan ndërtimin poetik të Beqir Musliut. Si e tillë, metafora e përsëritur edhe si shfaqje, edhe si shprehje, bëhet simbol, madje bëhet pjesë e sistemit kuptimor mitik. Në këtë konstelacion ngjarjesh e kohësh, figura e personifikimit nuk ka si përjashtohet, ndërsa e rëndësishme del edhe prozopeja, duke u dhënë jetë të vdekurve. Duket se figurat poetike e kanë veshur tekstin bazuar në ngjarjen e rrëfyera, siç ndodh me krahasimin, si një nga figurat më të thjeshta të kuptimit, ose me paralelizmin figurativ, sa herë bëhet fjalë për lulet, zogjtë, gurin etj. që marrin shpirt njerëzor, duke u gëzuar a vuajtur njerëzisht në rrethana të caktuara. Nga figurat sintaksore, inversioni është i pranishëm në masë të madhe, si duket ndikuar nga rregullsia teorike e ndërtimit të soneteve. Të shpeshtë e gjejmë edhe figurën e intonacionit poetik, thirrorin, ndoshta si shërbyes numri të caktuar rrokjesh në vargun përkatës që merr pozicion të ndërkalljes.
Figurat mitologjike, në anën tjetër, nuk janë përdorur si rivale të së vërtetës historike, por përdorimi i tyre vetëm sa e përplotëson të vërtetën. As që duhet menduar se miti në këtë poemë bëhet fakt historik, përkundrazi duke treguar të shkuarën bëhet program për të ardhmen. Pa synuar se poema e Beqir Musliut qe shkruar për të qenë program veprimi i atyre që besojnë pafundësisht në ideal.
Në këtë poemë autori ka përzier mitologjinë greke, në mos atë pellazge, me legjendat shqiptare, njëkohësisht duke lidhur religjionin me poezinë, legjendarizimin me lirikën, dramatiken me dialogun poetik. Pa dashur të merremi më gjerësisht me formësimin kuptimor të figurave në këtë poemë, mjaftohemi të themi përsëri se bashkudhëtimi i poezisë me mitologjinë religjioze po shprehet fuqishëm edhe sot e kësaj dite. Bile, përdorimi i figurave dhe ngjarjeve fetare si program i paramenduar, po pëlqehet më shumë si nga poetët, ashtu edhe nga vlerësuesit. Veçmas, bëhet fjalë për figurat e religjionit të krishterë, të cilat flasin shqip.
Gjuha dhe rregullsia
Gjuha është materiali kryesor i krijuesit, jo ngjarja, prandaj gjithçka varet si e shtjellon ai këtë (gjuhën). Ngjarja është marrëdhënie, është konflikt, është kontradiktë po dhe më shumë. Pra, e rëndësishme mbetet mënyra e kumtimit të tyre, bashkë me qëndrimin që mban poeti për jetën. Gjuha e poemës së Beqir Musliut është ajo gegërishtja melodike që kur kornizohet nga rregullsi teorike, sikur i zbehet paksa ritmi.
Poema është ndërtuar nga ai lloji i njohur i strofës, soneti: dy katrena u prijnë dy terceteve me skema të ndryshme. Njëra prej skemave që përsëritet më shpesh është ABBA – ABBA-CDD –CEE. Teknika e ndërtimit nuk duhet ngatërruar me rregullsinë artificiale të vjershërimit, sepse sonetet e kësaj poeme ndjehen si një vepër muzikore për violina, ku basi shfaqet herë-herë, jo në kontinuitet, siç e kërkon rregulli muzikal. Në këtë çrregullim duhet parë megjithatë, një organizim ritmik me masë të caktuar.
Kjo vepër cilësohet me vetëdije (sipas Robert Altor) që bie në sy duke filluar nga objekti i trajtuar, nga sistemi i kumtimit dhe kuptimor që del nga teksti artistik dhe nga konteksti poetik që përputhet me dimensionin kohor të bëmës historike dhe të të shprehurit poetik njëkohësisht.
Gjithnjë, duke pasur parasysh faktin se bëhet fjalë për veprën e tretë të Beqir Musliut, e pas saj vijnë dhjetëra të tjera të cilat i bënë vend të rëndësishëm këtij poeti në letërsinë shqipe.