/2L ONLINE/ – Manifestimi kulturor “Vjeshta Letrare e Gjilanit”, e cila këtë vit mbahet për here të shtatë, nën organizimin e Ars Club “beqir Musliu”, ka nisur të shtunën me një përurim libri. Në simbolikën e saj “shihemi të shtunave në ora 12:00”, kësaj here në ambientet e Restaurant “Bujana” në Gjilan, me prezencën e adhuruesve të shumtë të fjalës së shkruar, është përuruar libri publiicisitik i historianit, publicistit dhe veprimtarit poliitik, Izmi Zeka, “Vlerësime dhe opinione”, libri i tij i katërt me radhë, i botuar përmes Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”
Në fillim të kësaj ngjarje Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Club “Beqir Musliu”, ka thënë se po vazhdon tradita e këtij aktiviteti kulturor duke u hapur me promovim libri. Ai vlerësoi ecurinë e deritanishme të këtij manifestimi që mbahet këtë viti, për here të shtatë, duke thënë se po i jep një imazh të mirë edhe Gjilanit, duke premtuar se do të vazhdohet në këtë drejtim të ruajtjes dhe avancimit të mëtutjeshëm të këtij imazhi pozitivë për qytetin. Ai tha se përgjatë aktivitetit të sivjetmë do të ketë edhe promovime, edhe bashkëbiseda për libra e autorë, portrete letrare, e shpërndarje librash për biblioteka shkollore.
Duke folur për librin që po promovohej, Rrustemi tha se Izmi Zeka vije me librin e tij të katërtë, të tretin përmes shtëpisë botuese “Beqir Musliu” dhe vlerësoi se me këtë libër që po promovohet nderohet edhe Gjilani, edhe lexuesi i gjerë që do ta ketë në dorë.
Për librin në fjalë foli redaktori i këtij libri, Nexhat Rexha sipas të cilit “ Vlerësime dhe opinione”, me autor Izmi Zeka i ndarë në pesë kapituj dhe në të ka trajtime historike por përfshihet edhe aktualiteti.
Sipas tij autori ka bërë kërkime dhe hulumtime për këtë libër i cili në tërësinë e shtjellimit ka artikulime në tri kohë. Ato bartin ndërgjegjen e të kaluarës që shpërndajnë mesazhin më të arsyeshëm, sepse sakrifica,largpamësia e ideologëve në parashtrimin e ideve të tyre në të gjitha fazat e jetës i ka dhënë mesazhin më të mirë për historinë e njerëzimin.
Pastaj në pjesën “Për mesazhet dhe integrimet”,shtjellohen tema të komplikuara, të cilat të rikujtojnë vlimet e gjata e të dhembshme nëpër kohë. Këtu autori sugjeron dhe qorton faktorin politik të sotëm në rrugëtimin e shtetit të ri të Kosovës.
Në dy kapitujt e fundit, mesazhet janë të qarta e të prekshme. Izmi Zeka me përgjegjësi ka prekur realitetin e ditëve tona. Këto parashtime kanë peshën e vet sepse fjala thuhet në kohën e duhur.
Rexha ka thënë se autori me vëmendje ka paraqitur këto rrjedha, sa historike aq edhe aktuale, duke i dhënë librit qartësi shkencore, si dhe ka arritur me sukses t`i afrojë lexuesit njohje të reja në problematikën e shtruar në libër.
Edhe referuesi tjetër Dr. Faik Shkodra, vlerësoi librin në fjalë dhe përgëzoi autorin për çështjet e trajtuara në faqet e këtij libri “Vlerësime dhe opinione”, në të cilën sipas tij ai ka përfshirë tema të shumta të natyrave të ndryshme si të asaj kombëtare, politike, shoqërore, shkencore, kulturore e arsimor. Sipas tij, autori i këtij libri ka hedhur dritë mbi disa figura atdhetare dhe se lexuesit ia jep në mënyrë të qartë një portret të figurave historike atdhetare, por ai në kapituj të tjerë ka shkruar edhe për ngjarje tjera me plotë realitet të së djeshmes dhe të sotmes.
Ndërsa autori i librit “Vlerësime dhe opinione”, Izmi Zeka, pasi falënderoi të pranishmit që nderuar këtë promovim libri me prezencën e tyre, tha se për librin vlerësimin më të mirë do ta japin vetë lexuesit, por se ajo që deshi ta shtoi ai, është se sikur që shekulli i njëzetë ishte i shqiptarëve , ashtu edhe tani shekulli njëzetenjë do të jetë i tyre.
Përndryshe, “Vjeshta letrare e Gjilanit” do të vazhdojë të shtunën tjetër me aktivitetin e radhës. /2L ONLINE/