/rreth librit me tregime “Fundi i heshtjes “ i autorit Muhamet HALILI/
Sabit RRUSTEMI – redaktor i librit
Muhamet Halili befason këndshëm lexuesin dhe letërsinë tonë. Jo pse e “tradhton” kohë pas kohe profesionin e gazetarit dhe, shkruan tregime. Po pse, me tregimet e para, sinjalizon se po vjen me një frymë të re, me një llojllojshmëri temash të paprekura të përditshmërisë dhe, dosido edhe me një vlerë të re, e cila tashmë titullohet FUNDI I HESHTJES e që është përmbledhja e tij e parë me tregime.
Në njëzet tregimet, të cilat janë koncipuar në katër cikle, Halili portretizon përmes një rrëfimi të rrjedhshëm përditshmërinë tonë, atë përditshmëri të cilën, nga çasti në çast e jetojmë por, harrojmë për ta nxënë, duke e pritur çastin që ende s’e kemi jetuar.
Përmes një ironizimi të hollë, një humori që është dhe vetë brenda kësaj përditshmërie, Muhamet Halili, jo vetëm që shfaqi përkushtimin dhe talentin e duhur të një prozatori por, ai edhe paralajmëron se kjo është vetëm nisma e tij drejt një fushe që e jetojmë dhe nuk e shprushim sa duhet.
Ai, tashmë e ka gjetur minierën e tij të pashtershme krijuese, përditshmërinë dhe, vetëm i nxë pjesëzat e saj, të cilat, falë dhe një imagjinate të bujshme, kur mblidhen, bëjnë tërësinë e asaj që gjithnjë do të quhet: Libër i mirë.
Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” është e privilegjuar që lexuesit dhe letërsisë sonë po ia shpërfaq një emër të ri me një vepër të re që thjeshtë, ka vlerë dhe që paralajmëron se, po vjen rrëfimtari i përditshmërisë sonë.