Në Viti sot është shënuar 5 Maji-Dita e dëshmorëve të kësaj komune. Fillimisht është mbajtur një seancë solemne nga Kuvendi Komunal ku është folur për rëndësinë e kësaj dite, e më pas janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Viti.
Gjatë ditës së sotme nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti u mbajt edhe një akademi përkujtimore ku u fol për veprën e dëshmorëve për lirinë e këtij vendi.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti në fjalën e tij të rastit për nder të kësaj dite ndër tjerash tha se të gjithë duhet të ndihen krenar me veprën e dëshmorëve.
“Dita e dëshmorëve të kombit nga komuna e Vitisë, na rikthen në altarin e lirisë kombëtare, për të përkujtuar se çfarë çmimi të lartë ka liria. Na bënë që të ndihemi krenar me të kaluarën e lavdishme, për ti nderuar dhe përkulur me nderim para veprës së tyre që zgjodhën flijimin, në emër të idealit të lartë të lirisë. Ata zgjodhën të flijoheshin për liri, ngase kjo është vlera e lirisë kombëtare. Vitia gjithmonë mburret me trimat e saj, të cilët iu përgjigjen kushtrimit të atdheut, duke u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në zonat e Pashtrikut, Dukagjinit, Llapit e Gollakut, në Zonën e Nerodimes e të Karadakut, të Preshevës e kudo që kërkohej nevoja. Duke mos kursyer më të shtrenjtën-Jetën, ata ranë në betejat e lavdishme për të njëjtin qëllim, për të njëjtin synim dhe për të njëjtin ideal, që ky popull të jetoj i lirë”, shpreh Haliti.
Ndërkaq Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira gjatë seancës solemne që u mbajt për nder të 5 majit-Ditës së Dëshmorëve, ndër tjerash tha se me gjakun e dëshmorëve të rënë janë vendosur themelet e shtetit të Kosovës.
“ Kujtimi ynë për këta dëshmorë që me gjakun e derdhur të tyre vendosën themelet e këtij shteti, na bënë edhe neve jo vetëm krenarë, por edhe të përgjegjshëm për vlerat e lirisë dhe demokracisë së këtij shteti” tha kryesuesi Pira. Ndërkaq Avdyl Bajrami nga OVL- UÇK dega në Viti, theksoi se 5 Maji Dita e dëshmorëve të komunës së Vitisë, është ditë e rëndësishme e historisë së komunës sonë.
“Djemtë e komunës sonë, u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpër gjitha zonat si në Pashtrik, Koshare, Jezerc, etj. Gjaku I tyre I derdhur nëpër këto zona, na ka tubuar sot këtu gjithë së bashku, për ti nderuar dhe kujtuar veprën e tyre sublime për lirinë e kësaj toke”, ka thënë Bajrami.
Për të pranishmit, u shfaq një program artistik nga anëtarët e Ansamblit “Kemajl Azizi”.