Me homazhe tek memoriali i gazetarit “Kerim Lewton”, ka nisur shënimi i Ditës botërore të lirisë së shtypit në Viti, e organizuar nga Klubi i gazetarëve që mban emrin e gazetarit të ndjerë, në bashkëpunim me komunën e Vitisë, respektivisht Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Fillimisht janë vendosur tufë lulesh tek memoriali nga të gjithë të pranishmit e më pas është mbajtur një tryezë me temë “Gazetaria tradicionale përballë asaj online”.
Duke marrë fjalën përshëndetëse në këtë tryezë, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka theksuar se duke shënuar këtë ditë, respektojmë mendimin dhe shprehjen e lirë të njeriut dhe shoqërisë.
“Me shënimin e Ditës botërore të lirisë së shtypit, nderojmë dhe kujtojmë edhe figura të ndritura të gazetarisë, të cilët me punën e tyre të shenjtë, kanë sakrifikuar edhe jetën, duke rënë në krye të detyrës së tyre fisnike. I tillë ka qenë edhe gazetari Kerim Lewton, të cilin e përkujtojmë sot, që u vra gjatë raportimit për Agjencinë e Lajmeve Asoshieted Press në zonën kufitare Kosovë-Maqedoni. Shënimi i 3 Majit Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, na e përkujton çdo vit, sakrificën dhe rolin që ka media në zhvillimin e shoqërisë”, ka thënë Haliti.
Ai më tej ka shtuar se liria e shtypit dhe e shprehjes, janë të drejta themelore të njeriut, por aktualisht gjendja e medias në botë, sikur edhe profesioni I gazetarit, kanë qenë dhe mbesin në valën e problemeve të vazhdueshme , sikur edhe në pikëpamje te rrezikshmërisë që përbën gazetaria si profesion.
“Ne si institucione lokale, në vazhdimësi jemi angazhuar që të kemi raporte sa më të mira dhe komunikim të shëndoshë me mediat si ato lokale, po ashtu edhe ato qendrore, duke i kontribuar frymës demokratike dhe duke qenë transparente dhe llogaridhënëse me mediat, të cilat janë në kërkim të informacionit”, është shprehur Haliti.
Në emër të organizatorit, kryetari I klubit të gazetarëve “Kerim Lewton” në Viti Shyqeri Halabaku, ka thënë se për vite me radhë Vitia e shënon këtë ditë, ku edhe përkujton gazetarin e ndjerë Kerim Lewton.
Ai po ashtu në fjalën e tij u fokusua edhe në të dhënat e lirisë së shtypit në botë, si dhe problemet me të cilat ballafaqohet media në përgjithësi.
“Duke u bazuar në raportet ndërkombëtare të organizatave që merren me çështjet e lirisë së shtypit, Kosova sipas “Reporterëve pa Kufij”, radhitet në vendin e 82, kurse nga “Fridom House” në vendin e 96 dhe atë me liri të pjesshme të shtypit.Sipas tyre liria e shtypit në Kosovë me liri të pjesshme, e probleme të shumta siç janë: kërcënimet të cilat edhe gjatë këtij viti ishin të pranishëm, mungesa e pavarësisë financiare që vështirëson punët e mediave, censura, auto censura, si dhe një varg problemesh të tjera”, ka thënë Halabaku.
Ndërsa për temën e kësaj tryeze, ka ligjëruar prof,dr Aurora Ndriu Karameti, e cila ka folur për gazetarinë tradicionale, rolin e saj dhe efektet që ka gazetaria online tani.
Ajo ka marrë shembuj të ndryshëm sa i përket zhvillimit të mediave, duke theksuar se komunikimi online i cili është shtrirë dukshëm në shoqërinë tonë, mund të ketë edhe pasoja të rrezikshme.
Ligjërata e prof.dr Aurora Ndriu Karameti, është karakterizuar edhe me një varg pyetjesh, diskutimesh e komentesh nga të pranishmit e kësaj tryeze.