Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka marrë sot pjesë në konferencën përmbyllëse të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, fushatë kjo që ka të bëjë kryesisht me pastrimin dhe ruajtjen e mjedisit dhe që ishte zhvilluar nga 15 shtatori deri më 15 dhjetor 2018.
Gjatë kësaj konference janë prezantuar puna që kanë bërë të gjithë akterët që ndihmuan në organizimin e Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, ku edhe u prezantuan të arriturat e dhe u bë shpallja e komunave fituese të cilët kanë marrë pjesë në këtë fushatë tremujore.
Përndryshe Komuna e Vitisë është vlerësuar pozitivisht për punën e bërë ku edhe ka përfituar një grant të performancës në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” në vlerë prej 100 mijë euro.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ndër tjerash tha se me një vendim të tij ai kishte shpallur vitin 2018, Vit të mbrojtjes së Mjedisit në Komunë dhe potencoi se kjo komunë pos që ka pastruar dhe larguar deponitë e shumta të mbeturinave nga hapësirat publike i ka shndërruar ato edhe në mjedise të gjelbrat për të gjithë qytetarët.
Ai shtoi se megjithatë edhe pse kjo komunë ka bërë një punë të madhe në çështjet mjedisore gjatë vitit të shkuar ata do të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim edhe gjatë këtij viti pasi që sipas tij një mjedis i pastër është parakusht për një jetë të shëndetshme për qytetarët.
Haliti i falënderoj të gjithë vullnetarët e kësaj komune të cilët ju janë bashkangjitur aktiviteteve mjedisore gjatë vitit të shkuar.