/2L ONLINE/ – Në organizim të Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, sot përfaqësuesit e Drejtorive të Administratës, asaj të Kulturës,Rinisë dhe Sportit dhe drejtorisë së Bujqësisë, si dhe Zyrës për Investime dhe përkrahje të bizneseve, kanë mbajtur një konferencë për shtyp në të cilën, është shpalosur agjenda e aktiviteteve me rastin e Ditëve të Diasporës në komunën e Vitisë.
Gjithashtu, u bënë të ditur edhe angazhimet shtesë të komunës së Vitisë, në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe të shpejta administrative për mërgimtarët.
Kaltrina Sylejmani, drejtoresh e DKRS-së, ka thënë se këtë vit komuna e Vitisë, krahas mobilizimit për pritje sa më të mirë të mërgimtarëve, ka përgatitur edhe një agjendë për aktivitete të ndryshme në kuadër të “Ditëve të Diasporës”.
Ajo ka thënë se DKRS në bashkëpunim me kompanitë “Rino Art” dhe “Mega Event”, do të organizoj një koncert të madh të muzikës tradicionale i cili do të mbahet më 1 gusht, ndërkohë që paraprakisht do të organizohet edhe një koncert më 31 korrik i muzikës moderne për të rinj.
Gjatë ditëve në vijim, do të ketë edhe aktivitete të tjera, si shfaqje të filmave dokumentar, prezantim të talenteve të rinj etj.
Ndërsa Isak Sadiku drejtor i Administratës komunale, ka theksuar se kjo drejtori në mbështetje të Zyrës së kryetarit të komunës Sokol Haliti, ka hartuar planin e veprimit për “Ditët e Diasporës’’ që përfshijnë tërë muajin korrik dhe gusht, e që kanë për qëllim ofrimin e shërbimeve sa më të shpejta e cilësore administrative për mërgimtarë.
“Në kuadër të këtij plani është shtuar numri i punëtorëve në stafin e administratës komunale. Pastaj , përmes Qendrës për Shërbim të Qytetarëve po punohet në lehtësimin me pajisjen e qytetarëve me dokumente të Gjendjes Civile. Gjithashtu në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, janë funksionalizuar edhe 3 pika që kanë për qëllim regjistrimin e qytetarëve nga diaspora”, tha Sadiku.
Kurse Veton Ademi drejtor për Bujqësi e Pylltari, ka theksuar se kjo drejtori në bashkëpunim me komunën dhe shoqërinë civile, si dhe në mbështetje të organizatave ndërkombëtare, këtë vit do të organizoj Panairin e produkteve vendore , i cili do të ketë karakter regjional, pasi do të prezantojnë edhe fermerë e mysafirë nga komunat fqinje.
Ky panair do të organizohet më 1 gusht dhe do mbahet në qendër të qytetit të Vitisë. Mentor Rexhepi përgjegjës i Zyrës për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve tha se me qëllim të prezantimit të potencialeve që ka komuna e Vitisë për investime, më 1 gusht do të organizohet edhe tryeza me përfaqësues të bizneseve nga diaspora e ku do të diskutohen mundësit që ofron komuna e Vitisë, si dhe Infrastruktura ligjore për të tërhequr investitorë nga jashtë. /2L ONLINE/