/2L ONLINE/ – Komuna e Vitisë do të lidhet së shpejti edhe me një rrugë tjetër me komunën e Gjilanit. Kjo u bë e mundur falë të një projekti të përbashkët në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Vitisë, pasi që sot kanë filluar punimet në asfaltimin e rrugës nga Remniku i Vitisë deri në fshatin NasAlë të komunës së Gjilanit.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti në përurimin e fillimit të punimeve për asfaltimin e rrugës Remnik-Nasalë ndër tjerash tha se kjo rrugë ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për Remnikun dhe Nasalën por edhe për dy komunat.
“Kjo rrugë ka një rëndësi shumë të veçantë, përmes saj ne do të lidhim mes veti jo vetëm fshatrat Remnik dhe Nasalë por edhe komunën e Vitisë dhe të Gjilanit. Po ashtu komuna e Vitisë, ka një bashkëpunim të mirë me komunën e Gjilanit. Uroj që kur të bëjmë përurimin e përfundimit të këtij projekti, të pranishëm do të jenë pos banorëve të lokaliteteve që do të prekën nga ky projekt infrastrukturor edhe Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku si dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri”, u shpreh Kryetari Haliti.
Ai në veçanti falënderoj Ministrin e Infrastrukturës, konkretisht ministrin, Lutfi Zharku për kontributin e tij në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në territorin e komunës së Vitisë. Ndërkaq Idriz Ibrahimi, përfaqësues i fshatit Remnik tha se kjo rrugë është me karakter regjional .
“Kjo rrugë është me karakter me të gjerë sesa lokal sepse kjo është një rrugë regjionale për atë tregon edhe fakti që këtu kemi prezent edhe përfaqësues të lokaliteteve si Nasalë, Budrikë, Gjylekar dhe Remnik. Po ashtu dëshiroj të falënderoj institucionet komunale të Vitisë në krye me z. Sokol Haliti për këtë projekt të rëndësishëm“ tha Ibrahimi. Përndryshe vlera e këtij projekti është mbi 115 mijë euro e cila do të financohet nga grandi qeveritar, kurse me projektin e paraparë parashihen të asfaltohen mbi 2000 metra rrugë në gjerësi deri në 5m dhe atë deri në kufi me fshatin Nasalë të Komunës së Gjilanit. /2L ONLINE/