/2L ONLINE/ – Vitisë iu kanë hapur mundësi tjera për të lidhur partneritete të reja ndërkombëtare. Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti është takuar me kryetarin e Komunës Kirchhain në Gjermani Olaf Hausmann, me të cilin kanë biseduar për mundësinë e nisjes së bashkëpunimit në të ardhmen.
Biseda kryesisht është përqendruar në njoftimin dhe ofrimin e informative bazike të dy komunave. Po ashtu janë diskutuar edhe kapacitetet dhe resurset potenciale për të gjetur interesat e përbashkëta të bashkëpunimit. Kryetari Haliti ka thënë se Vitia ka vlera të cilat duhet të shtohen akoma.
‘Vitia është komunë e mesme e Kosovës, por ka resurse agro ekonomike dhe hidro-ekonomike, sidomos bonitetit të tokës shumë cilësore. Kemi një ekspozicion të mrekullueshëm dhe një moshë të re të popullatës që është potencial i madh. Prandaj partneritetet për zhvillim të qëndrueshëm, na interesojnë jashtëzakonisht shumë, sikurse partneriteti midis fshatit Smirë dhe fshatit Klanselheim të komunës suaj. Këtë lidhje e kam pritur me entuziazëm’, ka thënë Haliti.
Ai po ashtu e ka ftuar kryetarin e Komunës Kirchhain Olaf Hausmann, që ta vizitojë Vitinë. Hausmann tha se ndihet i nderuar që me këtë vizitë, ka nisur hap i parë i bashkëpunimit.
Ai ka prezantuar një letërnjoftim të shkurt të komunës së tij, e në mënyrë të veçantë industrinë dhe potencialet për energji të ripërtëritshme. Hausmann tha se do të bisedojnë me Këshillin e Qytetit dhe pastaj do të vendosin se si të vazhdohet me hapat e mëtutjeshëm të partneritetit.
Vizita e kryetarit Haliti po bëhet në kuadër të një projekti të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Gjermanisë i cili do të përfshijë qasje të ndryshme për realizimin e 17 Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm të Agjendës 2030 në nivel lokal.
Projekti do të lansohet në fillim të vitit 2017 dhe bashkëpunimi do të përfshijë komuna gjermane me komuna nga tetë shtete të Evropës Lindore dhe Jug-Lindore.
Delegacioni po viziton edhe disa uzina dhe qendra per prodhimin e energjise se riperteritshme. Me kryetarin Haliti janë edhe aktivisti i shoqërisë civile Tefik Salihu dhe Afrim Salihu kryear në dorëheqje i Këshillit të Fshatit Smirë, e cila ka iniciuar bashkëpunimin me fshatin Klanselheim. /2L ONLINE/