Është mbajtur sot seanca e shtatë e Kuvendit Komunal të Vitisë, me që rast janë shqyrtuar një varg pikash të rendit të ditës të parapara për këtë mbledhje.
Fillimisht, u dha një informatë lidhur me situatën aktuale me pandeminë Covid 19, ku u bë e ditur se në komunën e Vitisë, aktualisht janë 18 raste aktive. E më pas, këshilltarët parashtruan pyetje udhëheqjes dhe ekzeuktivit të komunës.
Ndër pikat që më së shumti u diskutua në këtë mbledhje, ishte ajo e pasqyrave financiare të buxhetit komunal për periudhën janar-shtator 2020.
Duke prezantuar pasqyrat financiare, drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Ibrahim Rama, theksoi se përgjatë periudhës janar-shtator 2020, buxheti komunal është shpenzuar për 91.6 %.
Sa i përket të hyrave vetanake, janë realizuar 73.97 % , që krahasuar me vitin e kaluar, është realizim më i ulët i të hyrave, si pasoje e situatës epidemiologjike. Ndërkaq, shpenzimet në investimet kapitale, gjithnjë sipas periudhës janar-shtator 2020, arrijnë shumën në 1.214.617 €.
Në këtë seancë, u aprovuan pikat si ajo e propozim vendimit për shpalljen në diskutim publik të propozim rregullores për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës, propozim vendimi për formimin e komisionit për shqyrtimin e ankesave të ankandit publik për dhënien e pronës në shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë, propozim vendimi për dhënien në shfrytëzim të Pronës Komunale NPSH “ARENA SPORT” në Kabash, pastaj nisma për nxitjen e bashkëpunimit nder komunal e kryetarit të komunës së Vitisë me Komunat e Republikës së Kosovës në fushat e përgjithshme si infrastrukturë rrugore, ekonomi bujqësi etj, propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit të nismës së kryetarit të komunës së Vitisë me Komunat e Republikës së Kosovës në fushat e përgjithshme si infrastrukturë rrugore, ekonomi bujqësi etj, propozim vendimin për autorizimin e Kryetarit të Komunës së Vitisë për të filluar konsultimet me Komunat e Republikës së Kosovës në fushat e përgjithshme si infrastrukturë rrugore, ekonomi bujqësi etj.
Njëkohësisht u dha një informatë lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Vitisë për vitin e përfunduar me 31.12.2019, u prezantua plani i Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në Raportin e Auditimit nga zyra Kombëtare e Auditimit për Vitin 2019, një informatë e prokurimeve dhe kontratave të nënshkruara për nëntëmujorin 2020, si dhe një informatë për raportin e performances për vitin 2019 të Komunës së Vitisë.
Ndërkaq, si pika shtesë që u përfshinë në këtë seancë, ishte propozimi për ndarjen e mjeteve financiare për çdo viktimë të komunës së Vitisë, nga Covid 19, pikë kjo që u aprovua njëzëri nga këshilltarët, si dhe u miratua edhe propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit paraprak 01-110/05-541 të datës 30.06.2020, për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale përmes ankandit publik./2LONLINE.com/