Është mbajtur sot mbledhja e tretë e Komitetit për Politikë e Financa e drejtuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal Naim Pira, ku u shqyrtuan disa pika të rendit të ditës, ndër to edhe propozim vendimi për shqyrtimin dhe aprovimin e autorizimit për kushtet e borxhit afatgjatë nga Qeveria e Austrisë.
Kjo pikë ishte ndër më të diskutuarat, ku anëtarët e KPF-së parashtruan pyetje në lidhje me projektin që parashihet të realizohet nga kjo kredi, e ku planifikohet të kryhet projekti për furnizimin me ujë dhe rregullimin e kanalizimeve për të gjithë qytetaret e Komunës së Vitisë, si dhe rehabilitimin dhe rregullimi i shtratit te lumit Morava dhe shtrimi i rrugëve fushore.
Ibrahim Rama drejtor për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, ka njoftuar për rendësin e madhe që ka ky projekt kapital për banorët e komunës së Vitisë, që do të jetë një zgjidhje e përhershme.
Ndërkohë duke folur rreth kredisë nga Ministria e Financave të Austrisë, Rama potencoi se janë në procedurë të aplikimit të kësaj kredie, e cila do të përfshije një periudhë afatgjatë të kthimit të mjeteve për 22 vite me zero kamatë.
Në këtë mbledhje të KPF-së, u diskutua dhe u miratuan që të procedohen në Kuvend edhe propozim vendimi për shqyrtimin dhe aprovimin për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër pronën e paluajtshme të Komunës Kompanisë KKDFE sha KEDS J.S.C për vendosjen e trafove elektrike, propozim vendimi për shqyrtimin dhe aprovimin e raportit të punës së Komitetit për Shërbime publike për periudhën Janar-Dhjetor të vitit 2016, propozim vendimi për shqyrtimin dhe aprovimin e Planit të punës të Komitetit për Komunitete për vitin 2017, propozim vendimi për bartjen e mjeteve vetanake për vitin 2015-2017, si dhe u dha një informatë nga drejtoria e shërbimeve publike dhe emergjencë për Planin e Mobilitetit Urban.