Është mbajtur mbledhja e katërt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku është diskutuar për gjendjen e sigurisë në komunën e Vitisë, posaçërisht gjatë muajve të fundit me ballafaqimin me Covid-19. Zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, ka njoftuar rreth periudhës disa mujore të menaxhimit të situatës pandemike, e gjithashtu edhe të rifillimit të procesit mësimor në shkollat e kësaj komune.
Kurse komandanti i stacionit policor në Viti, kapiten Afrim Halili, ka paraqitur statistikat e rasteve të raportuara në polici dhe në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, ka thënë se ka rënie të ndjeshme të rasteve si ne vjedhje, aksidente, e poashtu edhe të dhunës në familje, për çka edhe konsiderohet të jetë situatë e qetë dhe stabile.
Njiherit, kapiteni Halili përmendi se komuna e Vitisë është ndër komunat që ka qenë më e përkushtuar në respektimin e masave kundër Covid 19, kështu që shprehi falenderim për qytetarët që kanë respektuar masat dhe kanë kontribuar në uljen e rasteve të të infektuarëve.
Ai po ashtu apeloi tek qytetarët që të vazhdojn me respektimin e këtyre masave, për derisa do të jetë në fuqi vendimi nga IKSHP-ja.
Në këtë mbledhje të KKSB-së, Imri Emërllahu koordinator i EVSB-së paraqiti disa shqetësime të qytetarëve të identifikuara në disa lokalitete, kurse përfaqësuesi i Bashkësisë Islame në Viti, kryetari Husamedin Hoxha, kërkoi që të rritet niveli i sigurisë dhe të punohet në identifikimin e personave që promovojn ekstremizmin e dhunshëm, ndërkohë që përmendi rastin e shkarkimit të imamin të xhamisë në Skifteraj para dy muajve e i cili vazhdon të mos respektojë vendimin e Bashkësisë Islame.
Kurse Basri Aliu, drejtor i Arsimit, njoftoi për ecurinë e procesit mësimor, si dhe pajisjen me masat mbrojtëse për nxënësit.Ai tha se në përgjithësi, gjendja në shkolla është e mirë dhe stabile. /2LONLINE.com/