Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport në Viti, përmes një konference për shtyp, ka bërë publike agjendën e aktiviteteve kulturore e sportive me rastin e shënimit të 17 Shkurtit-Ditës së Pavarësisë.
Fillimisht zëdhënësja e komunës së Vitisë Fatbardha Emini, ka thënë se edhe këtë vit aktivitetet organizohen nën patronatin e kryetarit Haliti, si dhe në kuadër të agjendës që ka paraparë niveli qendror.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport Milot lala, ka njoftuar se aktivitetet për nderë të Festës së Pavarësisë, do të nisin me një ekspozitë të artit pamor të artistit nga Shqipëria Olgert Rakipllari në Galerinë e Arteve (sot ) në ora 16:00, për të vazhduar të premten me një Orë letrare që do të mbahet në Sallën e Kuvendit Komunal me fillim në ora 10:00.
Kurse në ditën festive më 17 shkurt, pra të shtunën, do të bëhen homazhe te varrezat e dëshmorëve në Viti prej orës 10:00 e më pas prej 14:00 do të mbahet seancë solemne në Sallën e Kuvendit.
Në kuadër të programit artistik, prej orës 15:00 do të shfaqet filmi “Pabesia” kurse në orën 17:00 një koncert festiv.
Drejtori Lala gjithashtu ka përmendur edhe aktivitetet sportive ku do të ketë gara në Ping Pong, basketboll, futboll e volejboll.