Duke pasur parasysh se jemi në sezonin e verës me temperatura të larta dhe në sezonin e Korrje-Shirjeve, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë ( DSHPE) e Komunës së Vitisë apelon të qytetarët e kësaj komune, që të shtojnë kujdesin në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjen nga zjarri.
Drejtori i DSHPE-së Nexhmedin Jakupi ka kërkuar që të mos ndizen zjarre në ambiente të hapura me qëllim të pastrimit të mbeturinave ngase shpesh dalin nga kontrolli dhe shkaktojnë rrezik për jetën e njerëzve dhe pasurisë. Gjithashtu ai ka apeluar të mos ndizen hamullorët ( arat e korrura).
Gjatë korrje-shirjeve është kërkuar nga kombajneret dhe prodhuesit bujqësore që të aplikojnë masat për parandalimin e zjarreve.
“Ju bëjmë me dje se zjarrvënie sanksionohet me ligj. Nëse jemi sy çel dhe vigjilent me veprimet e tona do të jemi kontribuues të mëdhenj në zvogëlimin e rasteve dhe parandalimin e rreziqeve nga zjarri, andaj qytetarë të komunës së Vitisë kontribuoni në parandalimin e këtyre dukurive negative”, ka thënë Jakupi.
Ai ka ftuar qytetarët t’i lajmërojnë rastet e zjarreve në numrat pa pagesë:
112 (Qendra e Alarmit)
193 ( Shërbimi për Zjarrfikje dhe Shpëtim)