/2L ONLINE/ – Në Turnirin Tradicional të Boksit “Gongu i Artë” që sivjet u mbajt në Shkup, që është ndër turniret më të fortë në Europë, që u mbajt në fund të javës së shkuar, mË 13 -14 nëntor, boksieri i Klubit të Boksit “Drita” nga Gjilani, -Violant Sylejmani fitoi Medaljen e Artë në kategorinë deri në 60 kilogram.
Violanti në meçin e parë gjysmëfinale mposhti reprezentuesin nga Uellsi, kurse në meçin final mposhti boksierin nga Shqipëria me 3 : 0 në të tri rundet.
-Ky boksier deri tani pati edhe suksese tjera në arenën ndërkombëtare, -tha trajneri i Klubit të Boksit “Drita”, Nazim Halili. –Tani, -shtoi trajneri Nazimi, -jemi në stërvitje në vazhdim dy herë në ditë, për përgatitje sa më të mirë të boksierëve tanë për Turnirin Përkujtimor Tradicional tanimë “Adem Jashari”, që do të mbahet në fund të këtij muaji në Prishtinë.
Trajneri pohoi me keqardhje se në punën e klubit nuk po ka përkrahje si e sa duhet nga përgjegjësit komunalë dhe se në ndihmë klubit kohë pas kohe i ofrohet vullnetarisht ndonjë donator bamirës që heq një përqindje sado kudo të harxhimeve të klubit dhe boksierëve në pjesëmarrjet në turnirët ndërkombëtare. –Klubi, -shtoi trajneri Halili, -mbahet vullnetarisht nga trajnerët shumë entuziastë dhe që e kanë merak shpirti boksin dhe që jetojnë gjithë jetën me boks.
– Për shkak të mungesës së buxhetit të klubit, -tha trajneri Halili, -shumë talentë të klubit nuk po mund të marrin pjesë në turnirët e shumtë brenda dhe jashtë vendit, ku do të afirmoheshin. –Kurse e dimë mirë ne, -përfundoi trajneri, -se sportistët sidomos kohët e fundit, na afirmuan për të mirë në botë dhe e çuan larg zërin e Kosovës dhe e bënë të njohur në gjithë botën, duke u bërë ambasadorët e vërtetë të vendit tonë!
Nga boksieri i ri Violant Sylejmani priten edhe shumë rezultate të radhës dhe se në të ardhmen ky boksier ka një perspektivë të shkëlqyeshme, porse në afirmimin e tij si dhe të boksierëve tjerë të shumtë të talentuar që ka ky klub yni duhet me çdo kusht përgjegjësit komunalë të ndihmojnë si e do puna dhe si janë zotimet.
/Femi Halimi/