Jashtëzakonisht është e turpshme nëse politikanët kosovarë ndërtojnë vila dhe ngasin vetura luksoze, ndonëse është e qartë se këto shpenzime nuk mund t’i përballojnë nga të ardhurat legjitime. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Zërin” ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, duke shtuar se një nivel i caktuar i korrupsionit është duke u toleruar, ndonëse kjo nuk është pritur të ndodhë në Kosovë.
Absurditeti, sipas tij, është se politikanët të cilët zyrtarisht marrin vetëm një pagë dhe janë bërë milionerë brenda natës, arsyetohen se të hollat për këtë jetë luksoze ua ka dërguar një kushëri që jeton në Zvicër!
Duke folur për raundin e parë të zgjedhjeve më 3 nëntor, Cliff thotë se ishin zgjedhje të lira dhe demokratike, përderisa,siç thotë ai, ka shumë rëndësi që në rundin e dytë të zgjedhjeve, më 1 dhjetor, liderët politikë të bëjnë të qartë për njerëzit e tyre në terren se manipulimi është plotësisht i papranueshëm.
Ai paralajmëron se vëzhguesit diplomatikë do t’i monitorojnë disa pika në Gjakovë, ndoshta ndonjë në Pejë dhe në Graçanicë, në mënyrë që standardet e përcaktuara mos të rrëshqasin nga duart.
Nderësa duk folur për zgjedhjet e 3 nëntorit, Cliff ka thënë se në përgjithësi raundi i parë nuk shkoi keq.
“Ka pasur gjëra që mund të përmirësohen dhe ishte evident problemi i madh me listën e votuesve, gjë që e pashë personalisht dhe kishte ankesa të caktuara që njerëzit janë vënë nën presion për të votuar për ndonjë parti të veçantë, njerëzit janë kërcënuar”, tha ai.
“Unë mendoj se në përgjithësi kishim të bëjmë me zgjedhje të lira dhe të drejta, kishte përmirësime të caktuara dhe të avancuara në çdo aspekt që Kosova kishte organizuar më parë dhe natyrisht ç’është më e rëndësishmja, zgjedhjet lokale në veri u mbajtën siç duhet, në bazë të ligjeve të Kosovës dhe pastaj siç duket ishte problemi i sigurisë në veri të Mitrovicës, që ishte për të ardhur keq, por gjë e mirë është se rivotimi në veri të Mitrovicës më 17 nëntor shkoi jashtëzakonisht mirë”, ka thënë ambasadori britanik.
“Pra, unë mendoj përgjithësisht se rundi i parë, për të cilin disa njerëz kanë thënë se e ka kaluar testin e BE-së, ka nevojë për përmirësime që duhet bërë”, tha Cliff. /Zëri/