Video kamerat kontribuojnë në parandalimin e krimit dhe ndihmojnë në arrestimin e atyre që i kryejnë ato vepra. Mosrespektimi i kritereve të vëzhgimit me kamera nga ana e kontrolluesve mund të cilësohet si shkelje e privatësisë së individit.
/Jeton ARIFI/
Vëzhgimi me kamera në vendin tonë ka filluar së aplikuari në vitet e para të këtij shekulli(me ndonjë përjashtim), kryesisht për qëllime të sigurisë në objektet e rëndësisë së veçantë. Parimi bazë i përdorimit të këtij sistemi të vëzhgimit edhe sot mbetet pothuajse i njëjtë.
Teknologjia dixhitale dhe ajo që shfrytëzon internetin e kanë bërë më të lehtë dhe më pak të kushtueshëm aplikimin e një sistemi të vëzhgimit të hapësirave të caktuara përmes kamerave.
Qytetari sot mund ta gjejë veten nën vëzhgimin e kamerave që në dalje të objektit të banimit kolektiv, gjatë rrugëtimit në këmbë, gjersa kalon përskaj cilitdo objekt publik apo privat, qoftë institucion shtetëror ose subjekt afarist, e deri te hyrja e objektit ku punon.
Nën syrin vëzhgues gjendet edhe në market gjersa bën pazarin ditor, në restorantin ku ha vaktin e mesditës, e në palestër pas orarit të punës. Me një fjalë, pak hapësirë kohore brenda ditës mbetet e pa vëzhguar nga syri i mprehtë i kamerave dixhitale të instaluara në çdo cep të hapësirave që frekuentohen prej secilit prej nesh në baza ditore.
Pavarësisht qëllimit të arsyeshëm (për çështje sigurie) të instalimit të sistemit të vëzhgimit në sektorin publik dhe privat, shfrytëzimi i këtyre pamjeve të regjistruara, jo rrallë, tejkalon qëllimin e vet.
Megjithëkëtë, arsyetimi më i shpeshtë, sidomos nga autoritetet e sigurisë publike, është se video kamerat kontribuojnë në parandalimin e krimit dhe ndihmojnë në arrestimin e atyre që i kryejnë ato vepra.
Në fakt, mosrespektimi i kritereve të vëzhgimit me kamera nga ana e kontrolluesve (subjekteve publike apo private që kanë instaluar sistemin e vëzhgimit me kamera) mund të cilësohet si shkelje e privatësisë së individit.
Cilat janë kriteret e vëzhgimit me kamerë?
Kontrolluesi i të dhënave (subjekti publik apo privat që ka të instaluar vëzhgimin me kamera), në radhë të parë duhet definuar qëllimin e qartë dhe specifik, i cili mendohet të jetë proporcional me të drejtat në privatësinë e individit.
Individët kanë të drejtën e qenësishme për të qenë të informuar rreth përpunimit të të dhënave personale me mjete të vëzhgimit me kamera.
Është praktikë e përgjithshme që të jepen informata përmes njoftimeve të ngjitura në vende të dukshme dhe lehtësisht të qasshme brendapërbrenda hapësirës së monitoruar me anë të vëzhgimit me kamerë.
Shenja paralajmëruese përmban shenjën e qartë të kamerës, mbishkrimin rreth vëzhgimit në gjuhët zyrtare të aplikueshme në nivel qendror dhe lokal, hapësirën e rezervuar për të dhënat e kontrolluesit (si, adresën, e-mailin, telefonin, etj), si dhe logon e autoritetit për mbrojtjen e të dhënave personale (ASHMDHP).
Kontrolluesit të të dhënave nuk i lejohet të përdorë pamjet e kamerave për qëllime tjera, veç atyre të shpallura nga Agjencia, respektivisht Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Për shembull, nëse një organizatë do ta kishte shpallur qëllimin për instalimin e kamerave për arsye të sigurisë së objektit, kontrolluesi nuk ka të drejtë t’i përdorë ato pamje për ta kontrolluar praninë apo përqendrimin e punonjësve në vendin e punës.
Edhe pse Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale parasheh aplikimin e vëzhgimit me kamera nëpër apartamente, instalimi i një sistemi të këtillë duhet ti nënshtrohet kritereve të pajtueshmërisë së 70% të banorëve, pastaj që ky veprim të arsyetohet me aspektin e sigurisë së banorëve dhe të pronës, të mos i nënshtrohet transmetimit dhe hapësira e vëzhguar të mos tejkalojë hyrjen e objektit dhe hapësirat e konsideruara si të përbashkëta.
Kjo mund të legjitimizohet vetëm me kusht që ta njoftojë paraprakisht Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për qëllimin shtesë, si dhe me kusht që t’i informojë paraprakisht të gjithë punonjësit për një veprim të tillë.
Si të mbrohet privatësia e qytetarit?
Çdo person ka të drejtë të kërkojë qasje në informatat personale të përpunuara nga sistemi i vëzhgimit me kamera.
Efektet mjegulluese të pamjeve të caktuara janë gjithmonë të rekomandueshme! Instalimi i kamerave në dhomat të zhveshjes, ashensorë, hapësira sanitare, hapësira të maternitetit, reparte të rehabilitimit të psikiatrisë, etj., mund të çojë në ndërhyrje të pavend në sferën private të individit dhe si i tillë është rreptësisht i ndaluar.
Pavarësisht nga kjo, qëllimi mund të arrihet, për shembull, duke instaluar kamera jashtë hyrjes së këtyre hapësirave, duke ia përshtatur kështu mjetet adekuate dhe më pak të bezdisshme të përpunimit.
Kamerat e maskuara, gjithashtu, i nënshtrohen vlerësimeve të privatësisë. Askush nuk mund ti shfrytëzojë kamerat e maskuara dhe të marrë kompetencat e zbatimit të ligjit në përpjekje për të zbuluar një veprimtari të paligjshme, siç është vjedhja, pa e përfshirë policinë. Autoritetet e zbatimit të ligjit janë të ngarkuara me kompetenca ekzekutive për t’i hetuar dhe ndjekur këto shkelje.
Në rrethana normale, periudha kohore prej gjashtë muajsh konsiderohet e mjaftueshme dhe e arsyeshme për të mbajtur inçizimet nga vëzhgimi me kamerë. Pas skadimit të kësaj periudhe kohore të paracaktuar, pamjet duhet të fshihen automatikisht.
Në rastet kur një kompani sigurimi mbanë pamjet në emër të kontrolluesit të të dhënave, kontrolluesi obligohet ta administrojë marrëdhënien përmes një marrëveshjeje ligjore. Një marrëveshje e këtillë duhet të specifikojë që kompania e sigurimit do të veprojë vetëm sipas udhëzimeve të kontrolluesit dhe do të zbatojë të gjitha masat e duhura teknike të sigurisë ndaj përpunimit të paligjshëm.
Fundja, lancimi i fushatave ndërgjegjësuese për qytetarët do të shërbente më së miri në ngritjen e vetëdijes së tyre për mundësinë e shkeljes së privatësisë nga subjektet që e aplikojnë atë përmes teknologjisë, zhvillimi i së cilës ka marrë hov si kurrë më parë.
(Autori është drejtor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Pikëpamjet e shprehura janë personale)