Nga: Prend BUZHALA
VËZHGIME THELLËSORE TË VLERAVE TË DISA VEPRAVE TË ANTON NIKË BERISHËS
( Për librin studimor të Mikel Gojanit, “VËZHGIME DISA VEPRAVE TË ANTON NIKË BERISHËS”, të cilën e botoi në fillim të Gushtit 2024, Shtëpia botuese “BEQIR MUSLIU”)
Libri i Mikel Gojanit “Vëzhgime disa veprave të Anton Nikë Berishës” është i njëzetepesti me radhë ndër vëllimet e botuara për veprat e Anton Nikë Berishës, që panë dritën e botimit. Këta tituj botimesh që i vendos Mikel Gojani në fund të librit të tij, s’kanë vetëm vlerë informative, por flasin edhe për diçka tjetër: Anton Nikë Berisha është ndër autorët më të studiuar e të lexuar të letrave të sotme shqipe. Është tregues se veprat letrare e studimore të A. N. Berishës kanë tërhequr një vëmendje të veçantë nga studiuesit dhe kritikët letrarë për afro dy dekada rresht. Mirëpo, kur kemi parasysh që nja dy vëllime me titullin e përbashkët “Vepër e pasur dhe e qenësishme” të botuara më 2011 e 2016 (e para me 92 punime dhe e dyta me 105 punime për veprat e Anton N. Berishës), përfshijnë vlerësime kritiko-letrare që nga vitet ‘70; atëherë ky interesim heq filet e tij që nga botimi i veprave të para gjatë atyre viteve.
1. Anton N. Berisha, ndër autorët më të studiuar të letërsisë shqipe
Është shenjë e mirë se një autor është lexuar dje dhe lexohet sot edhe më intensivisht. Leximet janë konver-gjente e divergjente, të cilat përbëjnë shumësinë e qasjeve dhe të interesimeve. Është vepër e studiuar, e interpre-tuar dhe e analizuar në mënyra të ndryshme e nga perspektiva të ndryshme, dhe shumë libra janë shkruar për të marrë në shqyrtim aspekte të ndryshme të krijimtarisë së tij. Për ta parë se çfarë e ka nxitur këtë interesim, atëherë do lexuar së bashku e gjithë krijimtaria prej më shumë se 140 titujsh të Anton Nikë Berishës dhe këto njëzetepesë vëllimet e cekura më lart.
Kritika dhe studimi monografik i veprës së A. N. Berishës, është bërë më i ndërlikuar dhe më i shumë-fishtë. Zaten, ky fakt dëshmon edhe për një histori të leximit dhe të receptimit të veprave të A. N. Berishës prej vitit 1970, kur e botoi veprën poetike për fëmijë me titullin “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” (Rilindja, Prish-tinë 1970). Shumë ndër këto vera kanë përjetuar disa botime. Hans Robert Jauss ishte një kritik dhe teoricien gjerman i letërsisë që e zhvilloi teorinë e receptimit në pjesën e dytë të shekullit XX. Receptimi është një koncept në studimet letrare që shqyrton mënyrën se si veprat letrare janë kuptuar, interpretuar dhe pranuar nga lexuesit dhe publiku nëpër kohë dhe në kontekste të ndryshme letrare, kulturore dhe shoqërore. Ky koncept përfshin studimin e reagimeve të lexuesve dhe ndikimin që këto reagime kanë në interpretimin dhe vlerësimin e veprave letrare. Receptimi është një qasje që thekson rolin aktiv të lexuesit në procesin e kuptimit të një vepre dhe ndihmon në ndriçimin e ndryshimeve të këtij receptimi. Këtu hyn edhe nocioni tjetër horizonti i pritjes, i krijuar po nga Jaus, që përfshin pritjet dhe standardet e lexuesve për një vepër letrare në një periudhë të caktuar kohore e historike, e interpretuar nga lexuesit e saj. Sipas Jauss-it, ndryshimet në këtë horizont ndodhin për shkak të ndryshimeve kulturore dhe shoqërore që ngjajnë me kalimin e kohës. Ai thekson se lexuesi ka një rol aktiv në interpretimin e veprave letrare. Interpretimi i një vepre nuk është vetëm një reflektim i qëllimeve të autorit, por edhe një rezultat i pritjeve dhe përvojave të lexuesve. Kjo qasje e bën lexuesin një pjesë të rëndësishme të procesit të krijimit të kuptimit letrar.
2. Monografi me një strukturim mirë të menduar
Vazhdës së këtyre interesimeve e leximeve të shumta, i shtohet edhe libri i Mikel Gojanit. Për dallim nga dhjetëra autorë të tjerë, libri i Mikelit dallohet me një qasje të veçantë: përfshin leximet e tij për dy romane të A. N. Berishës (“Gjin Bardhela i arbresh & Etje e gu-rëzuar” dhe “Frymëmarrje nate”) te pjesa e parë), dy libra poetikë («Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike», dhe “Frymësi e fjalës”) te pjesa e dytë dhe tri veprave studimorë (“Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë”, “Ernest Koliqi poet, prozator dhe dramaturg” dhe “Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe”) te pjesa e tretë.
Në fund vijnë edhe dy shtojca me vlera të veçanta: te e para Mikel Gojani i këndëvshtron dy vepra studimore për veprat e Anton Nikë Berishës (Prend Buzhala, “Kode poetike e të mbijetesës shpirtërore – Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës”, botoi Argeta – LMG, Tiranë 2009) dhe librit “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje” të Timo Merkurit. Botoi Shtëpia Botuese Beqir Musliu, Gjilan 2022); te shtojca e dytë ka PJESË TË ZGJEDHURA NGA VEPRAT E VËZHGUARA: Nga romani “Gjin Bardhela i arbresh & etja e gurëzuar”, Nga romani “Frymëmarrje nate”, Nga “Prushi i bukurisë – përsiatje poetike”, Nga “Hire të vetmisë – përsiatje poetike”, Nga “Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë”, nga studimi “Ernest Koliqi poet, prozator dhe dramaturg” dhe nga studimi “Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe”.
Skundër vërehet, libri i Mikel Gojanit ka një strukturim që i profilizon në disa aspekte veprat e Anton Nikë Berishës. Le ta theksojmë edhe një herë se biblio-grafia për vëllimet e botuara për veprat e Anton Nikë Berishës, është një burim tjetër i dobishëm për studiuesit që duan ta kuptojnë shumësinë e leximeve, gamën e gjerë të perspektivave studimore dhe analizave, si dhe të interesimeve në evoluimin e kritikës dhe interpretimit kushtuar kësaj vepre.
Mikel Gojani, ndër të tjera, dallohet edhe për për-kushtimin e tij në fushën e studimeve monografike e të kritikës letrare, meqë ka botuar një varg titujsh nga këto fusha. Kësaj radhe, me këtë botim, ai vjen me përvojën e tij shumëvjeçare të publikimit të vëllimeve të tilla, siç janë ato për Nasi Lerën e për disa autorë të tjerë. Edhe punimet e tij te ky vëllim që autori i quan vëzhgime, nuk janë vetëm një vlerësim i thjeshtë i një libri, por përbëjnë një proces analitik që përfshijnë interpretime të thukëta dhe shumëdimensionale të veprës, duke u përqendruar në struktura, tema, figura dhe kontekste letrare e kul-turore. Një nga aspektet më të rëndësishme të këtyre vëzhgimeve letrare, është interpretimi tekstual, duke ngërthyer edhe përbërësit e tjerë të brendshëm të tekstit, si strukturën narrative, karakterizimin e personazheve e veçantitë artistike, përdorimin e shtresave poetike, figurave stilistike, si dhe mënyrën se si këto elemente ndërveprojnë për ta krijuar kuptimin e veprës. Nga ana tjetër, autor e zbaton edhe analizën e kontekstit letrar dhe kulturor e historik, për të tërhequr përqasje në rrjedha kohësh.
3. Interpretime të veprave në prozë e në poezi
Në fjalën e tij paraprake “Përpjekje për të hedhur dritë rreth vlerave letrare dhe studimore të disa veprave të Anton Nikë Berishës”, autori ligjëron për këtë autor si shkrimtar dhe studiues i shquar, si përthyes i veprave të rëndësishme nga letërsia botërore.
Struktura tekstuale e veprave të Anton Nikë Be-rishës është komplekse dhe e pasur me elemente të ndryshme letrare. Anton Nikë Berisha krijon në kufijtë midis prozës dhe poezisë, duke krijuar një strukturë që i bashkon këto dy zhanre. Në shumë prej veprave të tij, ai përdor një gjuhë të pasur poetike edhe në tekstet e prozës, duke krijuar një efekt të fuqishëm emocional dhe estetik. Ky gërshetim i prozës dhe poezisë i jep veprave të tij një ndjesi të veçantë dhe një rrjedhshmëri të na-tyrshme.
Në punimin “Gjurmim poetik i thellësive të botës së brendshme” (Rreth romani “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”), vë në pah botën e arbëreshëve, me ngjarjet dhe ambientin arbëresh, me mallin për atdheun, me tragjiken që bartet në shpirt për shekuj me radhë dhe përpjekjet për ta shmangur zhbërjen. Punimi vë në qendër të vëmendjes së trajtimit të këtij romani reflek-timet e personazhit mbi jetën dhe vdekjen, mbi kujtesën historike, shtresimet poetik të romanit. Në këtë vepër Anton Nikë Berisha përdor struktura poetike dhe shtjellime të ndryshme për të krijuar një efekt estetik të veçantë dhe shumësor. Romani ka një stil të lartë me përshkrime të detajuara, me metafora të pasura dhe me një përqendrim në të shprehurit e bukur. Këto aspekte krijojnë një lidhje të thellë emocionale midis lexuesit dhe personazheve. Romani “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” i Anton Nikë Berishës është një gërshetim i ngjarjeve dhe reflektimeve të brendshme, që krijon një rrjedhë rrëfimore të ndërlikuar e tëritur. Përmes struk-turës tekstuale dhe përdorimit të simbolikës natyrore, Gojani veçon edhe rrëfimin që fton lexuesit të meditojnë mbi jetën, kohën dhe fundin e pashmangshëm. Ky ro-man është një qëmtim i thellë i botës së brendshme dhe një paraqitje e përjetimeve dhe përvojave njerëzore. Po ashtu, Mikel Gojani vlerëson se romani përçon një ndjenjë të fortë të identitetit dhe trashëgimisë kulturore arbëreshe, ku lexuesi merr një pamje të qartë të traditave, të riteve dhe të miteve që kanë formuar jetën e arbëreshëve në Itali. Flet për vlerat universale, filozofike dhe etike të veprës, për idetë kryesore të romanit siç janë rëndësia e identitetit dhe trashëgimisë kulturore: përmes rrëfimeve dhe kujtimeve, personazhet përpiqen t’i ruajnë lidhjen e tyre me atdheun dhe traditat e të parëve të tyre. Struktura e tekstit ndjek një linjë narrative që ndërthur reflektimet e brendshme të protagonistit me dialogë dhe përshkrime të detajuara të mjedisit dhe ngjarjeve.
Ndërkaq, për romanin tjetër “Frymëmarrje nate” të A. N: Berishës, autori Gojani flet te punimi me titull “Roman sa dramatik, aq dhe poetik”, duke theksuar se në të dëshmohen modelet e rrëfimit realist, të gërshetuar me atë përfytyrues, tashmë të konsoliduar në krijimet e autorit, të njësuar me mënyrën origjinale të qasjes dhe ndriçimit të botës së brendshme të personazheve. Ngja-rjet e romanit zhvillohen gjatë viteve 1866-1868 dhe janë përjetuar dhe shënuar nga kryeipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkup – Perzerend, Dario Buçarelli. Autori e shndërron të vërtetën historike në një të vërtetë poetike. Romani “Frymëmarrje nate” shpreh pësimet dhe fatkeqësinë e njerëzve nën sundimin e Nazif Pashës në Vilajetin e Perzerendit, që bën dhunë të egër ndaj banorëve, si-domos shqiptarëve katolikë. Personazhet kryesore, Maria dhe Prenk Kaçinari, përjetojnë shumë vuajtje për shkak të përndjekjeve dhe qëllimeve djallëzore të udhëheqësit otoman.
Në analizën e veprës së Anton Nikë Berishës, «Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike», shfaqen disa tregues të rëndësishëm që ndihmojnë në kuptimin e thellë të këtij libri poetik. Vepra është e ndarë në dy pjesë kryesore: pjesa e parë përmban 15 tekste poetike, ndërsa pjesa e dytë ofron refleksione dhe mendime për veprën. Analiza e veprës është mbështetur në parathënien e Dante Maffia-s dhe vlerësimet e studiuesve të tjerë, si Aleksandro Guadio. Për veprën «Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike», Gojani spikat interesimin e madh që ka zgjuar ajo ndër studiues shqiptarë dhe italianë. Për këtë dëshmon vëllimi “Prushi i bukurisë – një përmen-dore poetike për artin e fjalës, ku botohen punimet e njëzet e gjashtë autorëve, shqiptarë dhe të huaj, për këtë vepër poetike të Anton Nikë Berishës”.
Ky interesim lidhet me faktin se nëpërmjet artit të mirëfilltë – poezisë, autori flet për artin e fjalës, për veçantitë dhe qenësitë e tij dhe për mundësitë e jashtë-zakonshme të ndikimit në marrësin. «Prushi i bukurisë» është një vepër poetike që kontribuon në pasurimin e letërsisë shqipe dhe sjell vlera të reja në ndërtimin e vargut poetik dhe në traditën letrare. Anton Nikë Berisha e demonstroi këtë përmes një stili të veçantë dhe unik, duke krijuar një poezi që ndihmon në kërkimin dhe thellimin e bukurisë dhe artit të fjalës.
Të pasur dhe komplekse, me një ndërtim të kuj-desshëm dhe të thellë, autor e konsideron edhe veprën tjetër poetike të A.N. Berishës “Frymësi e fjalës”, te punimi “Poezi e brumosur me frymësi poetike dhe me thellësi mendimi”. Kapitujt e librit, “Etja e fjalës”, “Shtjellë tundimesh”, “Prushësí e muzgët” dhe “Yllësi e lodhur”, dëftojnë një strukturë të menduar mirë, që e ndihmon poetin të jepet pas kërkimeve dhe paraqitjes së përjetimeve dhe tema të ndryshme. Çdo kapitull është i ndarë në pjesë. Temat e ndjeshme si dashuria, malli dhe identiteti kulturor janë të pranishme dhe paraqiten në mënyrë të thellë. “Frymësi e fjalës” vlerësohet për përpunimin e thellë dhe të kujdesshëm të fjalës dhe të shprehurit poetik.
4. Lexime metatekstuale
Mikel Gojani e çmon lart veprën studimore të Berishës “Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë”, ku janë përfshirë disa nga punimet – interpretimet e tij më me vlerë e për disa nga veprave kryesore të letërsisë sonë. Ai thotë se kjo vepër voluminoze është dëshmi dhe sublimim i punës shumëvjeçare e të përkushtuar të këtij studiuesi për t’i interpretuar e ndriçuar vlerat e disa prej veprave më të rëndësishme të letërsisë sonë në vijën vertikale, të cilat dëshmojnë për cilësinë dhe nivelin e ngritur të saj. Është vepra e vetme e këtij lloji e botuar deri me tani në botën tonë.
Studimi i Anton Nikë Berishës për veprën në poezi, në prozë dhe në ramë të Ernest Koliqit, siç është para-qitur nga studiuesi Gojani, ofron një gamë të gjerë dhe të thellë të kontributit të këtij shkrimtari të rëndësishëm në letërsinë shqipe. Koliqi është një ndër figurat kyçe në letërsinë shqiptare dhe ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në prozë, poezi dhe dramë. Duke e marrë në konsideratë kontekstin historik dhe personal, vlerësohet se Ernest Koliqi e ka formuar veprën e tij në një periudhë të rëndësishme të historisë shqiptare, se ai ka qenë pjesë e përpjekjeve për ta ndihmuar zhvillimin e kulturës dhe arsimit shqip, veçanërisht në Kosovë, se Koliqi është një shkrimtar që ka ndihmuar në ndriçimin e realiteteve të ndryshme shoqërore dhe kulturore shqiptare, duke e përdorur artin e tij për të reflektuar dhe për të kontribuar në zhvillimin e kulturës dhe identitetit shqiptar. Përmes studimit Anton Nikë Berisha bën një vlerësim mjaft të plotë dhe të thellë kontributit të Koliqit, duke ndihmuar në njohjen dhe ruajtjen e trashëgimisë letrare shqiptare. Gojani përfundon: “Ky libër i hartuar me përkushtim e dije dallohet për vëzhgime, meditime dhe arsye-time të thella, që ndriçojnë vlerat e shumta dhe rëndësinë e shumëfishtë të veprës letrare të Ernest Koliqit.”
Studimi i Anton Nikë Berishës, “Maksimilian Lam-berci për letërsinë shqipe,” është një vepër e rëndësishme që ndriçon kontributin e madh të albanologut austriak Maksimilian Lamberci në fushën e letërsisë shqipe, duke ofruar një pasqyrë të detajuar të veprimtarisë së tij. Ky studim, i botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup në vitin 2021, është një përpjekje serioze për të nxjerrë në pah rëndësinë e veprës së Lambercit në studimin e letërsisë gojore dhe të shkruar shqipe. Mikel Gojani përfundon: “Studimi ‘Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe’ i prof. dr. Anton Berishës është një vepër me vlera të veçanta, ku ndriçohet thellësisht veprimtaria e gjerë e Maksimilian Lamberci në fu-shën e letërsisë gojore shqipe dhe të disa veprave të shkruara. Ky libër me vlerë do t’u hyjë në punë ligjëruesve në fakultet, po dhe atyre që synojnë të merren me albanologë të huaj që i dhanë një kontribut të madh studimeve shqiptare.”
Studimi i Berishës është një kontribut i rëndësi-shëm për letërsinë shqipe dhe i pari që ndriçon në mënyrë të gjithanshme veprimtarinë e njërit ndër albanologët e huaj më të shquar. Studimi është i rëndë-sishëm edhe për t’u bindur se në ç’masë e bënë ata të njohur letërsinë, kulturën dhe botën shqiptare në Evropë dhe më gjerë.
Te punimi “Romane që përjetësojnë poetikisht mbijetesën shpirtërore”, ku flet për librin “Kode poetike e të mbijetesës shpirtërore – Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës” të Prend Buzhalës, Gojani e konsideron si një analizë të thelluar për katër romanet e Anton Nikë Berishës “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”, “Nëna e dritës” dhe “Ferri i lodhur”, duke theksuar se të gjitha këto vepra janë të lidhura me një temë të përbashkët: mbijetesën shpirtërore në kontekste të ndryshme historike dhe kulturore. Libri i Prend Buzhalës ofron një vështrim të thelluar mbi procedimin se si këto vepra shprehin poetikisht mbijë-tesën shpirtërore. Buzhala arrin ta lidhë teorinë letrare me praktikat e leximit të veprës dhe i vë në pah vlerat e jashtëzakonshme artistike dhe kuptimore të romaneve të Berishës.
Studimi i Gojanit mbyllet me punimin rreth librit “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje” të Timo Merkurit (Shtëpia botuese Beqir Musliu, Gjilan 2022). Vlerësohet se libri i Timo Mërkurit është një analizë e thellë dhe e mirë strukturuar e veprave të Anton Nikë Berishës, duke ofruar një pasqyrë të pasur mbi kontributet e tij në letërsinë gojore dhe të shkruar. Mërkuri analizon studimet e Berishës mbi letërsinë gojore, duke theksuar rëndësinë e veprave si “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit dhe botës së tij – Qasje këngëve kreshnike”. Berisha i përmend këngët e kreshnikëve si dëshmi të pasurisë shpirtërore të kombit dhe si krijime të lashta, për te-matikën që i cilëson – botës materiakale, edhe para epeve homerike. Mërkuri vë në dukje se këto studime ofrojnë një njohuri të thellë mbi vlerat etike të shoqërisë fisnore, pra pa rregulla shtetformuese. Po ashtu Timo Mërkuri e shqyrton edhe kontributin e Berishës në studimin e letërsisë së shkruar, duke përmendur studimet e tij mbi Gjon Buzukun dhe Pjetër Budin. Berisha i jep një analizë të thellë Psalmeve të Buzukut, duke theksuar se ato janë krijime të nivelit të lartë artistik, dhe lidhjen mes poezisë së Budit dhe poezisë gojore. Mërkuri i shqyrton dy romane të rëndësishme të Berishës, “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar” dhe “Nëna e dritës”. Ai thekson stilin unik dhe ndikimin e veprave të Berishës në prozën shqipe, duke e paraqitur si poet me një indi-vidualitet të veçantë dhe stil të dallueshëm. Poemat si “Prushi i bukurisë” dhe “Hire të vetmisë” dëshmojnë për një nivel të lartë artistik dhe filozofik. Mërkuri thekson se vargjet e Berishës kërkojnë përqendrim dhe një për-pjekje të thellë për t’u bërë pjesë e pasurisë shpirtërore të lexuesit.
_________________
( Autori i këtij shkrimi kritik, është dhe redaktor i këtij libri )