“Sot, në ditën e zgjedhjeve, institucionet komunale të Gjilanit dhe përgjegjësit për mirëmbajtjen e rrugëve kanë rënë në gjumë. Që nga dje gjatë ditës ka pasur reshje bore, madje edhe gjatë natës, dhe përkundër faktit që e kanë ditur se sot ka zgjedhje, nuk kanë kryer punën e tyre”, thuhet në një reagim të qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.
Më tej në reagim thuhet se përpos që kjo duket në qytet, gjendja e rrugëve në fshatra është shumë e keqe. Rrugët janë të pa kalueshme, ndërsa qytetarët, përkundër motit të ftohtë e kanë të vështirë t’i qasen vendvotimeve dhe pengohen nga bora dhe akulli në rrugë.
“Rrugët janë të pakalueshme për Pogragjë, Llovcë, Bukovik, Zhegoc, një pjesë e rrugëve në Bresalc, Ponesh, Miresh, rruga te Çeliktë etj”
“Kjo është një papërgjegjësi e madhe dhe për këtë arsye i kërkojmë Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe kompanisë përgjegjëse, të kryejnë sa më shpejt punën e tyre, të hapin rrugët, t’ua mundësojnë qytetarëve për të realizuar të drejtën e votës, si një e drejtë elementare njerëzore”, përfundon reagimi i Vetëvendosjes, Qendra në Gjilan. /2LONLINE.com/