Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një konference për media shpalli sot fillimin e zgjedhjeve të brendshme, prej ku do të përcaktohen kandidatët për kryetarë komune nga radhët e këtij subjekti politik, dhe do të përpilohen listat e kandidatëve për Kuvendet Komunale.
Në këtë konferencë, ushtruesi i detyrës së Sekretarit Organizativ, Ismajl Kurteshi, dhe Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Përgjithsëm (KZP), Nol Nushi, shprehën gatishmërinë e Vetëvendosje për këtë proces të brendshëm, si dhe për zgjedhjet lokale që janë caktuar të mbahen me 22 tetor të këtij viti.
“Procesi zgjedhor do të jetë i hapur dhe demokratik. Procesi do të udhëhiqet nga komisionet komunale zgjedhore, pra nga qendrat e Vetëvendosje-s nëpër komuna, dhe do të udhëhiqet bazuar në statutin e Vetëvendosje-s dhe rregulloren tonë mbi zgjedhjet”, tha Ismajl Kurteshi i cili foli për rëndësinë e zgjedhjeve për organizatën tonë. Ai tha se përgjatë këtyre zgjedhjeve synojmë gjithëpërfshirje dhe rritje të mëtejshme të organizatës.
Ndërkaq, kryetari i KZP-së, Nol Nushi, deklaroi se Vetëvendosje hyn në këto zgjedhje lokale pas një fitore spektakulare në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku është dyfishuar vota, si dhe ka ndodhur edhe një ardhje shumë e madhe e anëtareve të rinj, ardhje qe po vazhdon ende me intensitet të lartë.
“Ky proces i zgjedhjes së kandidatëve është tepër i veçantë dhe tepër më demokratik, sidomos nëse e krahasojmë më partitë e tjera në Kosovë”, theksoi Nushi, derisa paralajmëroi se që nga java e ardhshme qendrat Vetëvendosje-s mund të caktojnë ditën kur do të mbajnë zgjedhjet e brendshme për t’i votuar kandidatët për kryetarë komune.
Tashmë komisionet komunale zgjedhore nëpër qendra kanë filluar të formohen. Komisionet i shpallin zgjedhjet e brendshme në komunat përkatëse. Nushi tha se sikurse e drejta e votimit, edhe e drejta e kandidimit është e garantuar për secilin aktivist, gjithnjë nëse kjo është në përputhje me statutin dhe duke u respektuar afatet dhe procedurat. Po ashtu se ky proces është i veçantë dhe aplikohet vetëm nga Vetëvendosje.
“Tashmë është koha që përvojën e qeverisjes së mirë të kryeqytetit ta sjellim edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Në këto zgjedhje lokale, Levizja do të jetë e prezantuar me kandidatura tepër serioze dhe synojmë që të fitojmë në shumicën e komunave të Kosovës”, u shpreh Nushi.
Ne urojmë për një proces zgjedhor sa më të mirë dhe ftojmë që të na bashkohen sa më shumë njerëz përgjatë këtij procesi, i cili do ta mundësojë fitoren e Vetëvendosje -s edhe në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, thuhet në komunikatën e e Vetëvendosjes.