(2L ONLINE) – Vetëvendosje në Gjilan përmes një komunikate vlerëson se vlerësimi i KDI-së për transparencën në Komunën e Gjilanit po të ishte vërtetë i drejtë dhe i qëlluar, do ta kishim përkrahur dhe mbështetur pa rezervë, përkundër që Vetëvendosje është subjekt opozitar në Gjilan. Mirëpo, këto të dhëna të KDI-së kinse Gjilani është renditur në pozitën e dytë për nga transparenca nuk përkojnë fare me realiteti, për faktin se mungojnë shumë indikatorë që është dashur të merren si instrument matës i kësaj transparence.
Më tej në ktë komunikatë thuhet;
“Nëse merret për bazë numri e seancave, atëherë do të ishte në rregull, por duhet analizuar se çfarë është diskutuar në ato mbledhje dhe çka është miratuar dhe rekomanduar, si kanë vajtur këto seanca, a kanë qenë transparente, a kanë qenë të kënaqur të gjithë palët në Kuvend. Marrja për bazë vetëm e anës zyrtare të qeverisjes komunale, dërgon në një vlerësim që vetë pushteti jep për vetveten gjë që nuk i ndihmon askujt.
Po të shikohet mirë puna e Kuvendit dhe ekzekutivit të Gjilanit, e para mangësi që bie në sy është mungesa e raportit të 100-ditëshit të qeverisjes Haziri, mandej po ashtu ka munguar raporti për gjashtëmujorin e parë të qeverisjes Haziri, e që edhe po kalojnë tashmë në muajin e 11 të qeverisjes së tij, e një gjë të tillë akoma nuk e kemi. Gjithashtu kanë munguar edhe njoftimet për lagje dhe fshatra për takime me qytetarë si dhe diskutimi i buxhetit. Veçmas te diskutimi i buxhetit, kemi mangësi të madhe rreth informimit për grupet e interesit, derisa në fshatra me ligj duhet të ketë njoftime nëpër vende të frekuentuara, e që këto njoftime pothuajse në të gjitha fshatrat kanë munguara. Gjithashtu është më së evidente se në të gjitha seancat e komunës këshilltarët komunalë parashtrojnë pyetje, por mbesim pa përgjigje për arsye të ndryshme. Të gjitha konstituimet e komiteteve dhe trupave tjerë përbërëse që janë formuar janë të jashtëligjshme, sepse nuk janë respektuar procedurat ligjore sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Pastaj kemi vendime skandaloze, ku janë dhënë prona publike pa procedura dhe kjo askund nuk figuron në raportin e KDI-së. Kemi pika të rendit të ditës ku mungojnë materialet me shkrim për asambleistët. Te buxheti mungojnë të dhëna rreth projekteve që duhet të realizohen, kuptohet në vijën investimeve kapitale, si kundër që mungojnë raporte eksplicite dhe narrative. Gjithashtu ne si opozitë kemi kërkuar jo njëherë, por shumë herë, se sa është borxhi i Komunës, kujt i ka borxh dhe për çfarë arsye është krijuar ai borxh? Dhe sot e atë ditë, akoma nuk kemi ndonjë shënim të saktë rreth borxhit, përveç ekuivokëve politike për të ecur tutje dhe për të justifikuar, e që ky justifikim tashmë është bërë bajat.
Edhe përkundër që tashmë është aprovuar statutit i ri i Komunës, pa votat e opozitës, ka munguar një transparencë e mirëfilltë, sepse nga asnjë zyrtar i lartë i Komunës, duke përfshi edhe kryetarin nuk kanë dhënë informata bindëse për ndryshimet e këtij statuti. Si kundër që kanë munguar edhe debate me qytetarë, OJQ dhe grupet e interesit për këto ndryshime të statutit të Komunës.
Ajo që më së shumti po na shqetëson vazhdimisht si opozitë është se në çdo seancë e kemi kërkuar dhe kemi ngritur rastet e punësimeve pa kritere, që pothuajse në këtë drejtim me po të njëjtin ritëm është kah udhëheq sikur partia që ishte në deri dje në pushtet.
Ndonëse ka progres rreth komunikimit dhe përgjigjeve të disa pyetjeve të parashtruar nga ana e përfaqësuesve të Vetëvendosje-s, në Kuvend Komunal, megjithatë ka shumë pyetje që janë drejtuar organeve relevante të Komunës e që përgjigje për disa akoma nuk kemi marrë dhe nuk e dimë arsyen se pse nuk kemi asnjë deri më tani”, thuhet n fund të komunikatës të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjila. /2L ONLINE/