Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë, siç thuhet nga përfaqësuesit e saj, për veprimet jokushtetuese të zyrës së Presidentit Hashim Thaçi lidhur me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Albulena Haxhiu tha se është e drejtë e subjekteve politike që në bazë të fuqisë të marrë në zgjedhjet e fundit të dërgojnë anëtarët e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Në KQZ duhet t’i ketë dy anëtarë kolicioni PAN, dy anëtarë Lëvizja Vetëvendosje! dhe dy anëtarë LAA siç e kërkon Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhje, dhe siç e përcaktoi rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. Përkundër që Presidenca nuk inicioi procedurën e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje më 17 prill të këtij viti dorëzoi dy nominimet, Adnan Rrustemin dhe Nazlie Balajn, për dy anëtarë në KQZ, ashtu siç parashikohet me Kushtetutë dhe Ligjin për Zgjedhje’’, tha Albulena Haxhiu.
Aktualisht zyra e Presidentit në vend se të procedojë me këto nominime po pengon emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga opozita. Ata në shpërfillje të ligjit kanë njoftuar për betimin tek Presidenti vetëm nga një përfaqësues e jo siç i takon opozitës, nga dy anëtarë.
Adnan Rrustemi numëroi shkeljet kushtetuese që Presidenti Thaçi po i bën, sidomos me vendimet e fundit për mandatimin e përfaqësuesve të subjekteve politike në KQZ.
Rrustemi konstatoi që ndonëse kanë kaluar mbi dy muaj prej kur Lëvizja Vetëvendosje! ka dërguar dy nominimet e saj për anëtarë të KQZ-së, presidenca nuk i ka përmbushur përgjegjësitë që ka në konfirmimin e këtyre nominimeve si anëtarë të KQZ-së. Në bazë të ligjit për zgjedhje, mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës. Gjersa, rezultati i zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës është certifikuar më 8 korrik dhe sipas ligjit do të duhej që përbërja e KQZ-së të ndryshonte më së largu deri në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, duke reflektuar kështu përbërjen e re në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit’’, shtoi Adnan Rrustemi.
Nazlie Bala tregoi për thirrjen krejtësisht në mënyrë joserioze, pa asnjë shkresë apo e-mail zyrtar që ajo ka marrë nga ana e Zyrës së Presidentit. “Të enjten e kaluar, nga Zyra e Presidentit , gjegjësisht nga zyra ligjore, kam pranuar një telefonatë për të marrë pjesë në betimin si anëtare e KQZ-së. Kjo thirrje nuk është as zyrtare e as ligjore sepse nuk kam pranuar asnje dokument zyrtar e aq më tepër kur i nominuari tjetër nga Lëvizja, Adnan Rrustemi, nuk është kontaktuar fare. Kjo ka ndodhur pa asnjë shpjegim zyrtar dhe kësilloj është e papranueshme’’, shtoi Nazlie Bala.
Ky proces po përdoret qëllimshëm nga Presidenti Thaçi dhe kjo pashmangshëm ndërlidhet edhe me faktin, por jo vetëm, se në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit, PDK-së, kryetar i së cilës ishte Hashim Thaçi, nuk do t’i takojnë dy anëtarë siç ishin deri më tani, por vetëm një, respektivisht dy anëtarë si PAN, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i ketë dy anëtarë në KQZ, sikurse edhe LDK duhet t’i ketë po ashtu dy. Lëvizja Vetëvendosje në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për zgjedhje ka bërë nominimet për anëtarë të KQZ-së, duke ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar.
Andaj kërkojmë nga zyra e Presidentit pa vonesa të mëtejshme që sa më parë të konfirmohen të dy anëtarët e KQZ-së që do të përfaqësojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe të dy anëtarët e LDK-së.