(2L ONLINE) – Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan e konsideron të papranueshme qëllimin e pushtetit në Gjilan për ta shuar Drejtorinë për Rini, Kulturë e Sport dhe për ta shndërrua atë në njësi të varme prej Zyrës së Kryetarit.
Nehat Osmani, nga Nënkomiteti i Vetëvendosjes për Sport ka thënë janë të shqetësuar dhe nuk do të heshtin përball diçkaje që do të jetë ngulfatëse për rininë, diçka që do të prangoste Sportin, Kulturën e Rininë. AI tha se me këtë veprim vetëm se sa shtohet mundësia e manipulimit ndërkohë që është dashtë të ndodhet e kundërta të fuqizohet sa m shumë drejtoria në fjalë.
Sipas tij, Vetëvendosje është e shqetësuar lidhur me paralajmërimin e Komunës për shuarjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe se me këtë vendim të pushtetit komunal, po tentohet që rinia të heshtet, të ngulfatet, por se Vetëvendosje do të përpiqet që ta ndalojë një gjë të tillë.
“Paralajmërojmë pushtetin komunal se zëri i rinisë, i sportistëve, i artistëve, nuk mund të ndalet. Rinia jonë e do vendin e vet, e do Kosovën dhe ajo do ta ndryshojë atë. Rinia po kërkon hapësirë, e ajo po i cungohet pa asnjë të drejtë”, u shpreh Osmani.
Ai tha tutje se angazhimi i të gjithë neve duhet të jetë investim në rini, në ngritjen e tyre intelektuale, sportive e artistike, e jo e kundërta, siç po duan të veprojnë pushtetarët komunal.
Osmani tha tutje se megjithatë edhe 9 muaj pas që nga konstituimi qeverisë komunale, ishim në pritje të vazhdueshme që më në fund të përmbyllet cikli i konstituimit të drejtorive, rrjedhimisht dhe konstituimi i njërës nga drejtoritë më të rëndësishme dhe më përmbajtjesore, atë të Rinisë, Sportit dhe Kulturës.
Por, sipas Osmanit, atëherë kur dukej se ishte momenti i fundit, ndodhi ajo që assesi s’do duhej ndodhte. Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport po shuhet për t’u shkrirë në njëfarë njësie brenda kabinetit të kryetarit.
Sipas Osmanit, kjo shkrirje bëhet me prapavijë, sikur ky pushtet ia ka frikën, rinisë, sportistëve, artistëve… dhe po ua mbyll dyert, po ua redukton kreativitetin, dhe po ua tkurr imagjinatën,
“Fakti pra që këta të rijnë, këta sportistë, këta artist, kjo rini universitare ofron gjithë atë energji dhe vrull vullnetar për të ndryshuar këtë vend, komunën tonë, për të ndryshuar këtë mentalitet obskurantist, nuk do duhej kuptuar si një rrezik që i kanoset pushtetit por si një thesar që do duhej shfrytëzuar e përvetësuar”, ka thënë Osmani.
Se, si po shkojnë punët keq në këtë sektor, Osmani tha se shihet edhe në mos trajtimi ne njëjtë të klubeve sportive, nga drejtoria përkatëse, përkatësisht pushteti në Gjilan. Ai tha se derisa disa klube ndihmonin më shumë, disa të tjera shuhen ose rrezikohen të shuhen në mungesë edhe të përkrahjes minimale.
“Po mos të ishte kështu nuk do të ndodhte që njëri nga klubet tona më me renome nga qyteti ynë KB ”Drita”, në kategorinë e meshkujve të përjashtohej nga liga elite për arsye banale të pamundësisë së përmbushjes së obligimeve elementare ndaj federatës, pagesës së kuotizimit dhe në këtë mënyrë të rrezikohej aktiviteti i një numri të madh të rinjsh, dhe në këtë mënyrë shuheshin shpresat e shumë talentëve, asgjësoheshin perspektiva të shumta, mu atëherë kur si asnjëherë më parë dyert e sukseseve dhe të përparimit janë hapur nga të katër anët, atëherë kur mundësitë e të rinjve për të arritura kulmore sportive janë të pa kufizuara”, ka thënë Osmani.
Sipas tij, po mos të ishte kështu, një armatë e tërë tifozësh e dashamirësh që dikur ishte e pamundur për t’i përmbledhur në palestrën e stërmbushur nga ta, nuk do mbetej jashtë mundësive për të përcjellë dhe përkrahur idhujt e tyre. Edhe një dëshmi se pjesa më vitale e popullsisë, rinia, sportistët, artistët janë jashtë juridiksionit institucional, jashtë përkujdesit të organeve që veç tjerash e kanë obligim dhe përgjegjësi përkrahjen dhe shtytjen e tyre.
“Vetëvendosja paralajmëron pushtetin komunal se zëri i rinisë, i sportistëve, artistëve, i rinisë universitare nuk mund të ndalet. Ngrehim zërin për të paralajmëruar dhe njëkohësisht të parandalojmë prangosjen e Rinisë, Sportit, Kulturës. Rinia jonë e do vendin, e do Gjilanin, e do Kosovën dhe ajo do ta ndryshoj, por kërkon hapësirë e ajo po i cungohet, kërkon vëmendje e ajo po i mohohet”, ka thënë ndër tjerash Nehat Osmani nga vetëvendosja e Gjilanit. /2L ONLINE/