Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, kanë shprehur disa nga shqetësimet e tyre lidhur me, siç thanë, manipulimet që kohëve të fundit janë bërë në fushën e arsimit.
Theks të veçantë ata iu dha anulimit dhe shpalljeve të shpeshta të konkurse në arsim, kohë e pa kohë dhe punësimi i mbështetësve politik në pozita të caktuara.
Anëtari i kryesisë Ali Xhelili tha se fatkeqësisht, konkurset e shpallura gjatë vitit shkollor janë sa për sy e faqe, meqë në shumicën e rasteve, pozitat për të cilat shpallen konkurset për mësimdhënës veçse janë të zëna nga mbështetësit politik të Lutfi Hazirit apo njerëzve të afërt me të dhe vartësit e tij.
Në këtë kontekst ai përmendi raste kur përzgjidhen kandidatët me notë mesatare të studimeve më të ulëta, pa përvojë pune dhe pa asnjë vit të plotë pritje, ndërkohë që kishte kandidatë me pritje të gjata nëpër listat e këtyre konkurseve, disa prej tyre me mesatare edhe mbi 9.00.
Ai ka folur edhe për raste të tjera si ai i konkursit të shpallur nga DKA-ja më 2 mars, ku vendin e punës, sipas Xhelilit e fiton një anëtare e një familje që ka përkrahur kryetarin e komunës gjatë fushatës zgjedhore.
Një rast tjetër, sipas Xhelilit, është konkursi i shpallur së fundi nga DKA-ja, përkatësisht më 11.01.2019, ku pas mbylljes së konkursit, më 03.02.2019, DKA-ja publikon listën me emra për kandidatët që i plotësojnë kriteret për t`iu nënshtruar testit me shkrim, e ku pas mbajtjes së testit, anulohet konkursi.
“Vendimi është publikuar në faqen zyrtare të komunës, më saktësisht më 26.02.2019. Sipas drejtorit të DKA-së, konkursi anulohet në tërësi pasi që komisioni rekrutues nuk ka arritur që brenda afatit te paraparë prej 15 ditëve të shpallë rezultatet e testit me shkrim”, ka thënë tutje Xhelili.
Ndërsa, arsimtarja dhe kryesuesja e nënkomitetit për arsim në kuadër të Lëvizje, Ardhmërie Jakupi-Musliu, ka trajtuar problemin e mungesës së mjeteve të konkretizimit, për të cilën ka thënë se po shkakton vështirësi në procesin mësimor, si për mësimdhënësit po ashtu edhe për nxënësit.
“Është për tu dhimbsur kur gjithçka që i shpjegojmë nxënësve tanë, mbetet vetëm abstrakte që figuron në tekstet shkollore. Fatkeqësisht, ata asnjëherë nuk e kanë mundësinë ti shohin, prekin apo edhe testojnë në klasë, ato për çka shpjegojmë dhe duam t’i bëjmë ata që ti kuptojnë sa më mirë. Është tragjikë të mendosh se disa nga zyrtarët tanë komunalë, i shkollojnë fëmijët e tyre në universitetet më luksoze dhe më prestigjioze në botë, në mesin e tyre edhe ne Harvard. Aty, ata marrin dije nëpërmjet metoda më të fundit të mësimdhënies dhe sistemeve më të ndërkombëtarizuara të arsimit. Ndërkohë që në vendin tonë, nxënësit tanë, akoma nuk i kanë as kushtet elementare të mbarëvajtjes së orëve mësimorë, e lëre më të kenë mundësi të kenë mjete pune shtesë, të cilat pos që do ta bënin orën mësimorë më atraktive, do të ndihmonin jashtëzakonisht shumë në nxënien sa më të mirë”, ka thënë ajo.
Prandaj, thotë Jakupi – Musliu, i bëjnë thirrje të gjithë prindërve, që të kërkojnë në vazhdimësi kushte dhe ta ngrisin zërin për të drejtat e fëmijëve të tyre në shkollim cilësor. Jam e bindur se vetëm duke e bërë këtë, do të sjellim drejtësi për nxënësit tanë, por mbi të gjitha do të sjellim ndryshimin e gjeneratave të reja.
Anëtari i kryesisë Murat Morina, i cili i është qasur kryesisht problemeve me të cilat ballafaqohet gjimnazi “Xhavit Ahmeti”, duke përmendur disa nga problemet teknike, të sigurisë dhe ato organizative.
“Edhe pse tani kemi hyrë në muajin e gjashtë të hapjes së shkollës tonë, nxënësit akoma hyjnë nga ana e pasme e shkollës. Shumë pak kohë pasi kemi filluar mësimin, salla e sporteve ka qenë e pashfrytëzueshme për shkak të bllokimit të kanalizimit. Në rast të ndonjë emergjence, dyert emergjente të shkollës janë të mbyllura, ndërkohë që nuk ka as boca për shuarjen e zjarrit. Ndërsa rreziku nga qentë endacak është mjaft i madh, ku disa herë janë sulmuar nxënësit e mësimdhënësit, përfshirë edhe punëtorët ndihmës, njëri nga të cilët ka përfunduar edhe në spital”, ka thënë ndër tjerash, Morina.